Merkel largohet me lot e nderime ushtarake/ Mbyllet epoka e “kancelares së krizave”

03/12/2021 14:33

Mbas 16 vjetësh në krye të qeverisë gjermane, Angela Merkel u largua me kokën lart, e përshëndetur përmes një ceremoni të madhe ushtarake.

Pas katër legjislaturash, kancelarja e parë e Gjermanisë që nuk doli e humbur nga zgjedhjet, vendosi të tërhiqej vetë. Në këto 16 vjet të drejtimit të qeverisë kaloi nëpër plot momente të vështira, ndaj dhe e quajtën “kancelarja e krizave”. “Ishin 16 vjet plot ngjarje dhe sfida, që kanë kërkuar shumë prej meje, por edhe më kanë plotësuar”, tha Merkel.

Në fjalën e lamtumirës ajo përmendi tre krizat kryesore: atë të sistemit bankar, në vitin 2008, krizën e emigracionit në vitin 2016 dhe atë të pandemisë së virusit Covid. Ajo kujtoi parimin e qeverisjes së saj për “barazimin e interesave”, duke dëgjuar gjithmonë edhe palën tjetër.

Ju inkurajoj që ta shihni botën edhe me sytë e tjetrit dhe të merrnin perspektivën e tjetrit, edhe nëse ajo është jokomode. Unë jam e bindur se ne mund të vijojmë ta formëzojmë të ardhmen tonë, nëse nuk i hyjmë punës me negativitet, me smirë, me pesimizëm, por, siç e kam thënë edhe përpara, me gaz në zemër. Unë kështu kam vepruar gjithmonë. Është ky gaz në zemër, që ua uroj të gjithëve, dhe në kuptimin figurativ, edhe vendit tonë“.

Në ceremoninë e zhvilluar në oborrin e Ministrisë së Mbrojtjes ishin ftuar bashkëpunëtorë të kancelares gjermane nga katër qeveri. Merkel lëvdoi ndër te tjera edhe kulturën e debatit në Gjermani “për të cilën na e kanë zili në shumë vende të botës”, ndërsa i uroi pasardhësit të saj dorë të mbarë dhe sukses në punën e tij.

Top Channel