Gjykata e Posaçme jep vendimin për 137 kg kokainë të kapur në Portin e Durrësit, 2 vite më parë. Për Altin Myslihakën GJKKO dha 15 vjet burg, nga gjykimi i shkurtuar dënimi iu ul në 10 vjet burg.

Ndërsa 12.6 vite burg u dhanë për  Adrian Begalën, nga gjykimi shkurtuar 8.4 vjet burgim.

Kokaina e kapur në Durrës vinte nga Greqia. Vijon të jetë ende në kërkim për këtë çështje Gentjan Malindi, dhe për këtë shkak është pezulluar për një vit procesi ndaj tij.

Malindi porositi 137 kg kokainë në Ekuador, e cila u zëvendësua nga policia me oriz në portin e Pireut, Greqi.

Begaj dhe Myslihaka u shpallën fajtorë për trafikimin e kokainës, të sekuestruar në 4 kontenierë, të cilët vinin nga Ekuadori në drejtim të Shqipërisë, duke kaluar tranzit në portin e Pireut, Greqi, ngjarje e ndodhur në muajt gusht – shtator 2019.

Myslihaka dhe Begaj, me anë të një çante nxorën 22 pako që ata mendonin se ishte kokainë, por nga ana tjetër rezultoi se me dorëzim të kontrolluar ishte lëndë e përzier kokainë e me oriz, pasi nga porti i Pireut në Greqi, hetuesit grekë dhe ata shqiptarë kishin vendosur të bënin një dorëzim të kontrolluar, duke i vendosur ngarkesës dhe GPS.

Ka qenë Myslihaka dhe Begaj që nën drejtimin e Malindit kanë kryer veprimet në Portin e Durrësit.

Gentian Malindi, me origjinë nga Skrapari dhe banim në Durrës, djali i avokatit të njohur Ilir Malindi, rezultonte pronar i një kompanie për tregtimin e produkteve të detit, i arrestuar më herët me lëndë narkotike (në vitin 2013).

I arrestuari Myslihaka ishte pastrues në anijen e peshkimit të Gentian Malindit, “Eniëej”, dhe kishte leje dhe akses për t’u futur në portin e Durrësit.

 

Top Channel