Ëngjëll Bregu, mësuesi i cili rezulton të jetë i dënuar për “pedofili” dhe “ngacmim seksual” të fëmijëve, ka reaguar në një intervistë ekskluzive për “Shqipëria Live”.
Në vitin 2003 Bregu u dënua sepse ngacmoi një nxënëse, për të cilën ai thotë se nuk është një ngacmim, por thjesht i ka hedhur dorën mbi qafë. Më tej, mësuesi akuzon ish gruan e tij për inskenim dhe thotë se është i pafajshëm!
“Nuk është ngacmim ai, s’mund ta quaj ngacmim, kemi qenë duke ikur nën ekskursion, përqafo një nxënës këtej një tjetër andej. Ata nxënës janë shumë të vegjël, çuditem të më vihet një epitet i tillë për pedofili. E quaj thjesht inskenim, fakte nuk kam, s’mund të deklaroj se ma bërë njeri. Një vit më parë jam divorcuar nga gruaja kam pasur probleme me të dhe presione”, u shpreh ai për ‘Shqipëri Live’.
Bregu kujton kohën kur ai u dënua për pedofili dhe kaloi në burg rreth 3 muaj, ndërsa thotë se ndërgjegjja e tij është e pastër!
“Më ngjethet mishi kur e kujtoj kohën kur vuajta dënimin. Bëra 99-100 ditë burg. Në ndërgjegjen time jam shumë i pastër që nuk kam bërë asnjë vepër të ulët. Nga shkurti 2004 deri në maj të 2009 unë kam qenë mësues!”, thotë ai.
Në lidhje me këtë rast, më herët reagoi edhe ministrja e Arsimit, Evis Kushi, e cila përmes një shënimi në facebook, ka dënuar rastin e punësimit të mësuesit. Po ashtu ministrja ka njoftuar se ky person është larguar menjëherë nga detyra dhe ndërkohë ka nisur një hetim administrativ për të gjetur personin apo personat përgjegjës, që nuk kanë marrë informacionin e duhur dhe kanë lejuar punësimin e tij.
Top Channel