Omicron “këmbëkryq” në Europë: “Ishte këtu përpara se të zbulohej në Afrikën e Jugut”

01/12/2021 12:54

Provat e reja dëshmojnë se varianti Omicron i koronavirusit ishte i pranishëm në Europën Perëndimore shumë përpara se rastet e para të identifikoheshin zyrtarisht në Afrikën e Jugut.

Autoritetet në Holandë thanë se zbuluan variantin në mostrat e testeve të kryera që me 19 nëntor, një javë të plotë përpara rasteve pozitive të zbuluara të premten e kaluar midis udhëtarëve që arritën në Amsterdam, me një fluturim nga Afrika e Jugut. Zyrtarët shëndetësorë në Japoni dhe Francë konfirmuan gjithashtu rastet e tyre të para me Omicron të martën, duke iu bashkuar një liste në rritje të vendeve ku përfshihen Britania, Kanadaja, Skocia, Australia, Austria, Spanja dhe Suedia.

Shfaqja dhe përhapja e shpejtë e variantit Omicron, bëri që Stephane Bancel, shefi ekzekutiv i gjigantit farmaceutik Moderna, të paralajmërojë të martën në një intervistë me The Financial Times, se vaksinat ekzistuese kundër COVID-19 mund të jenë më pak efektive kundër variantit të ri, në krahasim me deltan dhe variantet e mëparshme.

Paralajmërimi i Bancel shkaktoi shqetësime të reja në tregjet financiare në botë. Por shkencëtarët në Universitetin e Oksfordit, i cili zhvilloi një vaksinë me dy doza në bashkëpunim me prodhuesin e ilaçeve, AstraZeneca, lëshuan një deklaratë të martën duke thënë se vaksinat aktuale “kanë vazhduar të ofrojnë nivele shumë të larta mbrojtjeje kundër sëmundjeve të rënda dhe nuk ka asnjë provë deri më tani që omicron është ndryshe”. Në deklaratë thuhet po ashtu që nëse është e nevojshme, ekzistojnë “mjetet dhe mundësitë për zhvillimin e shpejtë të një vaksine të përforcuar kundër COVID-19”.

Tedros Adhanom Ghebreyesus, drejtori i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, tha se “shumë prej nesh mendojnë se kemi mbaruar punë me COVID-19. Por, virusi nuk ka mbaruar punë me ne”.

Top Channel