“Kadastra e Durrësit ka lëshuar certifikata legalizimesh të parregullta”/ Manja: Situatë problematike edhe me lejet në zonat e tjera bregdetare

01/12/2021 12:30

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja në konferencën e radhës për mediat tha se në Bashkinë e Durrësit janë konstatuar lëshime lejesh legalizimesh pa respektuar ligjin.

Por jo vetëm kaq, Manja bëri publik edhe rastin e një doganieri në Korçë, i cili ka falsifikuar diplomën e shkollës. Manja tha se ky doganier bashkë me noterin që ka kryer këtë akt, janë kallëzuar.

Ministri i Drejtësisë renditi si problematikë,edhe faktin se ka parregullsi për dhënien e lejeve të ndërtimit, sidomos në zonat bregdetare.

Sipas Manjës, nuk mund të rinovohet një leje e dhënë në vitin 2005, për shkak se kanë ndryshuar kushtet e kontratës e planet urbanistike. Ai  tha se tashmë është ngritur një strukturë që po heton këto raste dhe se përgjegjësit do të shkojnë para drejtësisë.

Në Kadastrën e Durrësit ka raste që po trajtohen. 2 rastet e para kanë të bëjnë me lejë legalizimi në kundërshtimi me ligjin. Nuk respektohen procedurat. I treti është flagrant. Është printuar leja e legalizimit dhe i është dhënë qytetarit dhe më pas janë bërë proceduarat. Data e dhënies së lejes është më parë se të bëheshin dokumentet. Është e kuptueshme se cilat janë interesat që të çojnë drejt shkeljes së ligjit dhe procedurat.

Rasti tjetër ka të bëjë me doganën e Korçës. Një nëpunës është bërë pjesë përmes dokumenteve shkollore të falsifikuara. Përveç doganierit ne kemi denoncuar edhe noterin, për të cilin kemi kërkuar edhe hetimin disiplinor. Rasti i fundit ka të bëjë me drejtorinë e DSHTRR, që ka të bëjë me ryshfetin direkt në sportel.

Në Vorë, një leje ndërtimi dhënë në rrugën që të çon në aeroport, pa përmbushur asnjë prej rregullave, për të cilën ka një kallëzim, kam urdhëruar ngrohjen enjë grupi inspektimi të posaçëm për të inspektuar rastet e tilla. Konstatojmë një seri problematikash që meritojnë vëmendje të menjëhershme të bashkive. Jemi duke trajtuar disa raste abuzime të rifreskimit të lejeve zhvillimore në bashkitë bregdetare dhe nëse do konstatojmë shkelje të ligjit për planifikimin e territorit nuk do hezitojmë të kallëzojmë penalisht personat përgjegjës. Bashkitë duhet të ndërpresin menjëherë dhe të mos zgjasin lejet e ndërtimit të dhëna shumë kohë më parë dhe që nuk janë përmbushur brenda afateve të përcaktuara. Duke marrë kompetenca ekskluzive të kryetarëve të bashkive kanë rivendosur në afat leje ndërtimi të pazhvilluar atë dhëna që nga viti 2005. Do vë në lëvizje inspektorin e lartë të drejtësisë për çdo vendimmarrje të paligjshme.

Rivendosja në afat e lejeve të ndërtimit të skaduara është e papranueshme. Një gjykatë nuk mundet të japë leje ndërtimi apo të shty vlefshmërinë e saj sepse merr atribute të një organi tjetër siç janë kryetarët e bashkive apo këshilli kombëtar i rregullimit të territorit. E paimagjinueshme që në vitin 2021 Gjykata merr përsipër të zgjasë apo ripërtëri një leje ndërtimi të dhënë nga bashkia në vitin 2005, ku rregullat kanë ndryshuar. Kam vendosur që këtë shqetësim t’ja bëjë prezent këshillit të lartë gjyqësor dhe rastet konkrete do t’i referoj pranë inspektorit të lartë të drejtësisë. Sa herë do të hasim të tilla vendimmarrje nga bashkitë dhe gjykatat do investohem personalisht për të vënë në lëvizje institucionet përgjegjëse. Jam i vendosur që çdokush të mbajë përgjegjësitë që i takojnë. Nuk do hezitojmë të denoncojmë çdo zyrtar që ka vepruar në kundërshtim me ligjin, Janë disa raste që po hetohen”, tha Manja.

Top Channel