Akuzuesja e gjyqit të pedofilëve: Gislaine ishte në dhomë kur Epstein më përdhunoi kur isha 14 vjeç (fotot)

01/12/2021 17:13
E akuzuara Maxwell, poshte majtas, deshmitarja djathtas

Sot në gjyqin e profilit të lartë të pedofilisë e trafikut seksual, u tha se aristokratja britanike Ghislaine Maxwell ishte në dhomën kur partneri i saj miliarder Jeffrey Epstein abuzonte seksualisht me një vajzë 14-vjeçare.

Katër akuzueset e para folën në gjyqin në New York ku Maxwell përballet me gjashtë akuza abuzimi dhe trafikimi seksual, për rolin e saj në rrjetin e prostitucionit të financierit famëkeq amerikano-hebre Jeffrey Epstein.

Epstein ishte dënuar edhe më parë për krime seksuale pasi përdorte pasurinë dhe influencën e tij për të krijuar një rrjet skllavërie seksuale me vajza të reja ose të mitura, në të cilin  Maxwell vepronte”madama” e bordellos së tij të luksit.

Viktima e parë me pseudonimin “Jane” – foli sot në gjyq në New York, duke thënë se ishte vetëm 14 vjeçe kur Epstein abuzoi seksualisht me të teksa Maxwell qëndronte brenda në dhomë.

Viktima thotë se ishte “e ngrirë nga frika” pasi nuk kishte parë kurë një burrë të zhveshur më parë.

Ajo pretendon se Maxwell e mësonte si t’i bënte masazhet seksuale Epstein dhe nganjëherë edhe ajo merrte pjesë në aktivitet.

Në një pikë gjatë dëshmisë së saj, Jane nisi të përlotej.

Maxwell mohon akuzat dhe thotë se po kthehet në “kokë turku” pas vdekjes së papritur të Epstein në burg.

Jane thotë se ishte njohur me Epstein e Maxwell në 1994 kur merrte pjesë në një kamp muzikor teksa kërkonte të niste një karrierë në muzikë.

Ajo ishte duke ngrënë akullore me shoqet kur Maxwell iu afrua me qenin e saj, çka tërhoqi vëmendjen e tyre.

Kur shoqet e saj u larguan ajo u njoh me Epstein, i cili u prezantua si donator i eventit.

Më pas bashkë me nënën e saj ajo u ftua në shtëpinë e Epstein ku mbetën të impresionuara me pasurinë dhe statusin e Epstein e Maxwell.

Gruaja tha në gjykatë se asokohe nëna e saj besonte se vajza e saj duhet të ishte e veçantë që u zgjodh nga dyshja e pasur.

Më pas Epstein e Maxwell e morën atë për të bërë pazar rrobash, duke përfshirë dhe të brendshme.

Por cikli i abuzimit nisi kur një ditë Epstein e mori papritur nga dora e i tha “eja pas meje” para se ta çonte te pishina e shtëpisë.

Ajo tregon se ai e zhveshi dhe nisi të kryente akte seksuale me të.

“Isha e tmerruar dhe e turpëruar,” thotë dëshmitarja.

Jane tha në gjykatë se abuzohej seksualisht sa herë vizitonte shtëpinë dhe nganjëherë detyrohej të merrte pjesë në orgji.

“Gjithçka ndodhte sikur të ishte normale, unë isha konfuze, isha 14 vjeç dhe nuk e kisha idenë çfarë po ndodhte”.

Ajo shtonte se rutinat seksuale ishin të përhershme e te vazhdueshme, dhe nganjëherë merrte pjesë dhe Maxwell.

Kjo e fundit e mësonte Jane “sesi Jeffrey donte të masazhohej”.

Ai paguante për veshjet e Jane apo mësime të këngës, u tha në gjykatë.

Çifti flisnin për rrjetin e lartë shoqëror që kishin duke përmendur emra si Bill Clinton apo Donald Trump.

Por avokatja Laura Menninger menjëherë hodhi poshtë kredibilitetin e dëshmitares.

Ajo kërkonte të dinte se përse dëshmitarja priti 20 vjet për të denoncuar abuzimin e Maxwell.

Gruaja pranoi më pas se kishte përfituar $5 milionë nga fondi i kompensimit për viktimat e Epstein.

Më herët në dëshminë e pilotit të Epstein u përmendën si pasagjerë dy ish-presidentë të SHBA dhe princi britanik Andrew.

Prokurorët argumentojnë se Maxwell “servirte” vajza të reja për Epstein si pjesë e një piramide abuzimesh seksuale ku përfshihen gjithashtu figura të njohura të ekranit e politikës së SHBA.

Gjyqi vazhdon.

Top Channel