Shërbimi i brendshëm i policisë greke ka shkatërruar një organizatë të falsifikimit të pasaportave greke. Lajmi u bë i ditur prej vetë ministrit grek të mbrojtjes së qytetarit, Taqis Theodhorikakos, cili njoftoi se janë arrestuar 20 persona, 10 prej të cilëve punonjës së policisë helene, si dhe nëpunës së gjendjes civile në bashkinë e Athinës.

Mësohet se organizata drejtohej prej shefit të sigurisë që Atikës lindore ndërsa këtij të fundit i janë gjetur në një kasafortë që mbante në zyrë, shuma prej 320.000 euro kash të përfituara prej veprimtarisë së falsifikimit të dokumenteve.

Policia thotë se organizata përdorte të dhëna të sakta të qytetarëve të ndryshëm grek dhe pajiste me kartë identiteti, pasaportë dhe patentë greke, por me fotografinë e shtetasit që ishte interesuar për të pasur një dokument të tillë.

Në vazhdim dokumenti me të dhëna të sakta, por me fotografi tjetër, kalohej në data base të policisë dhe automatikisht ligjëronte poseduesin e këtij dokumenti me dokumente autentike greke.

Sipas burimeve policore, tarifa që organizata iu merrte personave të cilët donin të pajiseshin me kartë identiteti ose pasaportë greke, ishte 30.000 euro.

Mes klientëve të organizatës ishte edhe Marjus Dhiamandi nga Delvina, i ekzekutuar pak ditë më parë në një karburant pronë e tij në Nikia të Athinës.

Dhiamandi ishte dënuar më parë për disa vepra të rënda penale. Në momentin që policia mbërriti në vendin e ekzekutimit, në trupin e viktimës u gjet një kartë identiteti e saktë greke me të dhëna të një shtetasi me origjinë nga vendet e ish bashkimit sovjetik, i cili nuk kishte asnjë dijeni se në Greqi ishte lëshuar një tjetër kartë identiteti me të dhënat e tij dhe fotografinë e Marjus Dhiamandit.

Top Channel ka mundur të sigurojë ekskluzivisht një foto të një dokumenti të tillë të lëshuar për një shtetas shqiptar, i arrestuar pak muaj më parë jashtë banesës së një gjykatësi në lagjen Marusi të Athinës.

Policët që ndaluan për verifikim shtetasin “grek”  Aleksei Svetkov, nuk e imagjinonin se kishin në dorë një shtetas shqiptar në kërkim.

Rastësisht polici që u thirr për verifikim, ishte pikërisht ai që e njohu se  bëhej fjalë për një shqiptar, pasi vite më parë ishte apo ai që e kishte arrestuar për trafik të lëndëve narkotike.

Pasi u krye verifikimi, u bë e mundur arrestimi i tij.

Gjatë marrjes në pyetje, shtetasi shqiptar, emri të cilit nuk bëhet publik, u pohoi agjentëve se kishte paguar 30.000 euro për tu pajisur me dokumentin grek.

Të ndaluarit do të dërgohen në gjykatë për masë sigurie, ndërsa gjatë ditëve në vazhdim do të jepen detaje të tjera lidhur me këtë skemë falsifikimi tepër të sofistikuar, përfitimet e së cilës kalojnë shumën prej 5.000.000 euro.

FOTO GALERI
1/1
Shërbimi i brendshëm i policisë greke ka shkatërruar një organizatë të falsifikimit të pasaportave greke. Lajmi u bë i ditur prej vetë ministrit grek të mbrojtjes së qytetarit, Taqis Theodhorikakos, cili njoftoi se janë arrestuar 20 persona, 10 prej të cilëve punonjës së policisë helene, si dhe nëpunës së gjendjes civile në bashkinë e Athinës.

Top Channel