Vritet ish-kreu i komunës Velipojë/ Pashko Ujka u qëllua në mes të Shkodrës teksa ecte në një lulishte

30/11/2021 01:21

Pashko Ujka ish-deputet i parlamentit të Shqipërisë nën siglën e PDK dhe ish-kryetar i komunës së Velipojës ka mbetur i vrarë pas një atentati me arme zjarri ndaj tij.

Ngjarja ndodhi pasditen e së hënës, në qendër të qytetit të Shkodrës, pranë kishës Ortodokse dhe universitetit. Ai kishte dalë për të bërë një shëtitje me bashkëshorten në momentin që një person i është afruar duke e qëlluar me armë zjarri pas shpine.

Atentati duket se ka qenë i mirëmenduar pasi autori ka shfrytëzuar errësirën në lulishte dhe ka përdorur armë me silenciator. Pashko Ujka është dërguar në spitalin Rajonal të Shkodrës ku gjatë ndërhyrjes kirurgjikale për t’i nxjerrë plumbin i cili i kishte prekur, shtyllën kurrizore, ka pësuar komplikacione të tjera shendetësore duke ndërruar jetë.

Autori është ende në kërkim nga policia teksa pistat e hetimit por përqëndrohen tek e kaluara e tij në politikë por edhe bizneset e viktimës. Gjatë periudhës që ishte në krye të komunës së Velipojës, ndaj Ujkës u zhvilluan edhe dy atentate të tjera. Fillimisht u qëllua me arme zjarri ndaj banesës së tij ndërsa më pas disa persona ushtruan dhune fizike duke e qëlluar me mjete të forta.

Pasi la detyrën në krye të komunës, ai qëndroi sërish pjesë e strukturave të Partisë Socialiste ndërsa vitet e fundit u tërhoq nga jeta politike për shkak të problemeve shëndetësore.

Top Channel