Papa Françesku i beson një detyrë të rëndësishme një kleriku shqiptar. Arjan Dodaj është emëruar si Arqipeshkv për kryedioqezën e Tiranës dhe Durrësit.

Dom Mark Shtjefni zëdhënës i Kishës Katoli i tha Top-Channel se ky “është një vlerësim që Papa i bën kishës në Shqipëri duke emëruar një bir të këtij vendi, e i besuar një përgjegjësi kaq të madhe sikurse është roli një Arqipeshkvit”.

Në ditët në vijim në Vatikan pritet që Papa Françesku ti japë Arjan Dodajt shenjën dalluese të Arqipeshkvit e quajtur Palja.

Sipas Dom Mark Shtjefnit, detyrën e re të Arqipeshkvit, Arjan Dodaj me gjasë mund ta marrë përpara Krishtlindjeve.

Arjan Dodaj, është me origjinë nga Laçi dhe në vitin 1993 pasi kishte kryer shkollën e mesme emigroi në Itali.

Rrugëtimi i tij kishtar nis në vitin 1997 kur kërkoi të pranohej në Vëllazërinë Meshtarake të Bijve të Kryqit, pranë Bashkësisë ‘Shtëpia e Marisë’, në Romë.

Aspiratën për tu bërë meshtar e realizoi duke studiuar filozofi dhe teologji në Universitetit Papnor ‘Mbretëresha e Apostujve’ ku mori titullin e Bakalaureatit.

Papa Gjon Pali II, në Bazilikën e Shën Pjetrit e shuguroi si meshtar në 11 maj 2003 e më pas Arjan Dodaj shërbeu në Dioqezën e Romës.

Ndërsa në viting 2007 nisi të punojë si meshtar fidei donum në Kryedioqezën e Tiranë-Durrësit.

Në Radio Maria ai drejtonte edhe emisionin “Me një Hyj të vetëm jemi vëllezër të gjithë”.

Kryeministri Edi Rama e uroj Arqipeshkvin shqiptarë me fjalët: “Zoti qoftë me Ju në këtë mision kaq fisnik”.

Top Channel