Dimri erdhi me dëborë/ Ulen ndjeshëm temperaturat, probleme me lëvizjen në rrugë

30/11/2021 15:06

I gjithë vendi vazhdon të jetë me mot të keq, dhe temperaturat sot janë ulur në mënyrë drastike. ndjehet se më në fund erdhi dimri jo vetëm në zonat ku ka shtruar tashmë dëbora por edhe në zonat e ulta.

Kjo e martë, ka sjellë dëborën në bashkitë e Pukës dhe Fushë Arrëzit ku niveli shkon shkon deri në disa centimetër, por nuk raportohen probleme. Në bashkinë e Shkodrës ka ulje të ndjeshme të temperaturave ku rruga për në Theth, në Qafën e Thorës, vazhdon të jetë e bllokuar.Ndërkohë nga Vermoshi vijnë pamjet e bukura të natyrës, ku pemët dhe shtëpitë prej druri janë mbuluar nga flokët e dëborës.

Reshje të dendura dëbore kanë përfshirë qarkun e Dibrës në orët pas mesnatës.Bora me intensitet të lartë ka arritur trashësinë 15 cm në qytetin e Peshkopisë ndërsa në zonat e thella, në lartësi mbi 800 metra trashësia shkon deri në 35-40 cm. Situata rrugore është më problematike në rrugët e brendshme të qytetit të Peshkopisë, ku rrugët në mëngjesi nuk ishin pastruar. Në Bulqizë një prej qyteteve ku temperaturat kanë shkuar deri në minus pesë gradë disa rrugë kalohen me vështirësi.

Temperaturat janë ulur ndjeshëm dhe në qarkun e Lezhës ku mbrëmjen e djeshme është shoqëruar me stuhi shiu dhe dëbore në zona malore.

Temperaturat janë ulur ndjeshëm edhe në zonat bregdetare, por pavarësisht motit të keq me erë të fortë dhe reshje gjatë natës, shtabi i emergjencave në prefekturë raporton se situata në qarkun e Durrësit aktualisht paraqitet pa probleme. Trafiku detar vazhdon të jetë i pezulluar vetëm për peshkarexhat dhe anijet turistike e ato të tonazhit të vogël, ndërsa tragetet kanë lëvizur pa probleme mes dy brigjeve të Adriatiku.

Në rrethin e Vlorës situata vijon te jetë më problematike vetëm për lundrimin detar. Deti vijon të jete me dallgë duke krijuar probleme në por ku trageti nuk mundet te ankorohet për shkak të rrezikut të përplasjes me kalatën. Po ashtu edhe në radhime shqetësime kanë pasur peshkatarët e kësaj zonë pasi dallgët kanë mbytur 6 varka të tyre te cilat shërbenin për peshkim.

Top Channel