Uroi pavarësinë me diktatorin/ Deputeti i PS-së nuk ‘pendohet’: Enverin e kemi bërë armik padrejtësisht

29/11/2021 11:54

Deputeti i Partisë Socialiste, Bujar Çela, nga Lushnja i ka dalë sërish në mbrojtje diktatorit Enver Hoxha, pasi dje uroi festat kombëtare me foton e tij në grupin e Whatsapp të Komisionit të Ligjeve .

Sipas deputetit socialist, diktatori Enver Hoxha ka kontribut të madh, dhe është bërë padrejtësisht armik.

“Jemi mësuar t’i themi muaji i festave të nëntorit. Disa festa i festojmë, disa të tjera i kemi harruar. Por në themel të kujtesës tonë kanë ngelur 3 festa, 27 nëntori që është ngritja e flamurit në Lushnjë, 28 nëntori ngritja e flamurit në Vlorë dhe 29 nëntori dita e çlirimit të atdheut. Është festa më e madhe pa të cilën, Shqipëria nuk do të ishte si kjo Shqipëri që kemi sot. Mendoj se figura e Enver Hoxhës nuk mund të quhet nul. Ka edhe ai kontributin e tij përderisa ne nuk kemi nxjerrë ndonjë udhëheqës tjetër. Nëse ka ndonjë udhëheqës tjetër le të shprehet se historianët janë aty. Shumë herë kemi bërë padrejtësisht armiq dhe kriminela dhe këto fakte janë nga më të ndryshmet, që nga balli kombëtar dhe Legaliteti, të cilët nga armiq më pas u rreshtuan në krahun e fituesve“, tha ai.

Ai  nuk hezitoi të sulmonte demokratët, duke theksuar se në atë komision ka edhe nipër të Isa Toskës.

“Në atë komision ka edhe njerëz që janë nipër të Isa Toskës, unë nuk jam nipi i Enver Hoxhës, por në jam si të gjithë shqiptarët që s’mund ta harroj historinë nga i cili kemi ardhur ne si komb”, tha Çela.

Por nga ana tjetër, kolegët e tij nga PS, i dolën në mbrojtje duke thënë se Çelës i kishte humbur telefoni, e megjithatë deputeti Bujar Çela i qëndron mesazhit që dërgoi në grupin e punës me kolegët.

Top Channel