Policia e Shtetit njofton se për shkak të motit të keq me reshje shiu dhe dëbore, në të gjitha rrugët e vendit është krijuar vështirësi në qarkullimin e automjeteve.

Kështu në disa akse rrugore, kryesisht në bypass-in e rrugës së Arbrit dhe në Qafë Murrizë është vështirësuar qarkullimi i automjeteve, si pasojë e reshjeve të dëborës dhe e mospërdorimit të zinxhirëve nga drejtuesit e automjeteve.

Shërbimet e Policisë Rrugore kanë marrë masa, në bashkëpunim me firmën që ndërton rrugën, dhe pas ndërhyrjes së borëpastrueseve qarkullimi i automjeteve vijon, por me ngadalë.

Nisur nga situata e krijuar, shërbimet e Policisë Rrugore dhe ato të Patrullave të Përgjithshme nuk do të lejojnë kalimin e automjeteve në drejtim të bypass-it në rrugën e Arbrit dhe në Qafë Murrizë, as në gjitha ato akse rrugore në të cilat ka prezencë të dëborës, pa vendosur zinxhirët dhe gomat dimërore.

Me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore, si dhe për t’u ardhur në ndihmë përdoruesve të rrugës, në rast nevoje, për shkak të motit të keq, Policia e Shtetit ka marrë një sërë masash emergjente, duke rritur prezencën e shërbimeve me uniformë, në të gjitha rrugët e vendit.

Policia e Shtetit apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve që të rrisin kujdesin në rrugë gjatë kalimit në të gjitha akset rrugore, pasi ka prezencë të ujit dhe të dëborës, të vendosin rripin e sigurimit, të mos qarkullojnë me shpejtësi, të mos kryejnë parakalime dhe të mos drejtojnë mjetin nën ndikimin e alkoolit apo më keq akoma në gjendje të dehur.

Top Channel