Heqja e barrierës shënoi hapjen e rrugës së Arbrit, një ëndërr shekullore e cila sot është një realitet i prekshëm dhe premtim i mbajtur nga qeveria e Edi Ramës.

Ministria Belinda Ballaku e cila ka udhëhequr dhe mbikëqyrur hap pas hapi ndërtimi e kësaj rruge dha detajet e lëvizjes. Dibranët u vunë në garë me njëri tjetrin se kush do të ishte makina e parë për të kaluar.

Kryeministri Edi Rama nuk bëri asnjë koment por gëzimin për fitimin e bastit të tij personal për ndërtimin e rrugës e shprehu duke pozuar me një grup fëmijësh. Festës nuk kishte se si mos ti mungonte muzika dhe vallet dibrane.

Kjo rrugë me dy korsi  është e gjatë 74 kilometra dhe e projektuar për një shpejtësi lëvizje 80km në orë. Kalon në 4 bashki përmes 4 urave dhe 7 tuneleve të ndërtuara prej kompanisë Gjoka. Pjesa fundore e rrugës është Bllata në kufi me Maqedoninë e Veriut.

TË DHËNAT E PROJEKTIT

Gjatësia e gjurmës Tiranë-Bllatë (Majtare) 69.319 km

Segmentet lidhës me rrugët ekzistuese 5.072 km

Rruga që përfshihet në kontratën konçesionare 54.271 km

6 tunele me gjatësi totale – 10 km

4 ura ku dy janë struktura beton arme dhe 2 ura mbistrukturë çeliku me gjatësi totale te urave rreth 1.4 km

Vlera e kontratës – 40.3 mld lekë (me tvsh)

HAPJA E RRUGËS PËR QARKULLIMIN E AUTOMJETEVE

Bazuar në kontratë, afati i përfundimit të plotë të rrugës së Arbrit është muaji prill 2022. Nisur nga fakti se pjesa më e madhe e kësaj rruge tashmë ka përfunduar, bazuar edhe në përvojën e krijuar më herët me akset të rëndësishme si bypass Fier dhe bypass Vlorë, është vendosur hapja e rrugës së Arbrit për qarkullimin e automjeteve, ndërkohë që punimet do të vijonë për përfundimin e plotë të saj.

Ky vendim është bazuar në kërkesat e bashkive që prek ky aks rrugor për lehtesim trafiku nga Tirana në Klos dhe Dibër, si dhe numrit të lartë të kërkesave për autorizim kalimi të drejtuesve të mjeteve, duke u mbështetur tek raportimi i fundit 3-mujor i Inxhinierit të Pavarur.

Realizimi i volumeve të punimeve ndërtimore është në masën 75% dhe konçensionari, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit do të marrë masat e duhura që siguria për lëvizjen në rrugë të jetë e plotë, ndërsa punimet do të vazhdojnë.

Për këtë qëllim është përgatitur plani i menaxhimit të trafikut i cili do të bëhet i ditur edhe për drejtuesit e automjeteve.

SEGMENTET QË HAPEN

Tiranë – Qafë Murriz – Klos, e gjatë 35.14km. Tuneli në ndërtim i Murrizit do të anashkalohet, nëpërmjet një bypassi të ndërtuar nga kompania, i cili në përfundim të veprës do t’u mbetet në përdorim banorëve të zonës.

Ura e Çerenecit – Majtare dhe Maqellarë-Bllatë, gjithsej 12.22km

Në total janë 47.36 km rrugë që do të vihen në shfrytëzim, ku punimet janë përfunduar në pjesën më të madhe të tyre.

Shkurtimi i distancave:

Tiranë – Klos 45 min

Tiranë – Bulqizë 60 min

Tiranë – Peshkopi 2 ore

Top Channel