Gazetarja Klodiana Lala ka folur në emisionin “Open” për ngjarjen e rëndë që ndodhi pasditen e sotme në qytetin e Shkodër, ku u vra ish-kreu i Komunës së Velipojës, Pashko Ujka.

Ujka u plagos me armë zjarri me silenciator rreth orës 19:00, mbrëmjen e kësaj të hëne (29 nëntor 2021) teksa shëtiste me bashkëshorten e tij në vendin e quajtur lulishtja e Universitetit. Gazetarja Lala bën me dije se pista ku po heton policia ka të bëjë me mbajtjen e borxheve.

Ndër të tjera, Lala thotë se do të hetohet edhe problematikat që ka patur në të kaluarën për shkak të posteve që ka mbajtur, një ndër to si kreu i Komunës së Velipojës ku nuk kanë munguar çështjet e ndryshme për pronat.

“Bëhet fjalë për një autor të vetëm. Bëhet fjalë për një person që mund të çojnë në identifikimin e tij po nuk mund të flasim për emër konkret. Pista e hetimit është e borxheve.

Shihet edhe mbajtja e posteve që ka pasur. Ka pasur dhe herë të tjera që është vënë në shënjestër të atentateve. Familjarët kanë bërë thirrje që të dhurojnë gjak por fatkeqësisht nuk e mbajtën dot në jetë.

Dëshmitare është bashkëshortja por nuk ka dhënë detaje për shkak të traumës por edhe nuk ka kuptuar se çfarë ka ndodhur kur është rrëzuar në tokë. Duke qenë zonë e populluar, ka kamera por po hetohet për një vrasje që ka të bëjë me borxhet dhe problematikat që ka pasur në të kaluarën ish deputeti me postet që ka mbajtur.

Kishte kohë që ishte larguar nga postet shtetërore. Konfliktet më të shumta vinin sepse mbante postin e kryetarit të komunës së Velipojës. Është zgjedhur silenciatori për të mos tërhequr vëmendjen dhe është gjetur mënyra që të mos shmangej.

Fakti që policia dhe grupi i hetimit ka kthyer sytë nga e kaluara tregon se mund të jetë një autor i dyshuar për të treja ngjarjes. Është ngjarje e rëndë prej profilit të viktimës dhe vendit ku është zgjedhur të kryhet ekzekutimi. Dosjet e mëhershme do i vijnë në ndihmë grupit të hetimit.

Tirana Durrësi e Shkodra konsiderohen si njolla të zeza. Duke qenë se ka ndodhur në sy të shumë dëshmitarëve dhe ka pasur edhe më herët atentate e sulme ndaj tij, mendoj se policia do shkoj drejt një hetimi”, tha Lala.

Top Channel