Skandali i rikthimit në punë të mësuesit të dënuar për pedofili/ Ministrja Kushi: E hoqëm menjëherë. Ka nisur hetimi për…

27/11/2021 14:48

Një rast i paprecedentë raportohet të ketë ndodhur në Berat, ku një mësues që rezulton të jetë i dënuar për “pedofili” dhe “ngacmim seksual” të fëmijëve në vitin 2003, është rikthyer si mësues në një nga shkollat 9 vjeçare të qytetit.

Denoncimi është bërë nga fëmijët e prindërve, të cilët të shqetësuar thonë se 62-vjeçari Engjëll Bregu është emëruar mësues Fizike në shkollën “22 nëntori”. Vetë nxënësit e shkollës tregojnë se kanë frikë prej tij gjatë zhvillimit të orëve të mësimit.

Në lidhje me këtë rast ka reaguar edhe ministrja e Arsimit, Evis Kushi, e cila përmes një shënimi në facebook, ka dënuar rastin e punësimit të mësuesit. Po ashtu ministrja ka njoftuar se ky person është larguar menjëherë nga detyra dhe ndërkohë ka nisur një hetim administrativ për të gjetur personin apo personat përgjegjës, që nuk kanë marrë informacionin e duhur dhe kanë lejuar punësimin e tij.

“Dënoj fort rastin e punësimit me kontratë të një mësuesi në Berat, që në vitin 2003 është dënuar nga gjykata për pedofili. Pavarësisht se gjykata nuk ia hoqi të drejtën e rikthimit në detyrë dhe të ushtrimit të profesionit, edhe pse prokuroria e kërkoi një gjë tillë, është e pafalshme që persona të tillë të hyjnë qoftë edhe për një orë të vetme në mjediset e shkollave tona.

Ky person është larguar menjëherë nga detyra dhe ndërkohë kemi nisur një hetim administrativ për të gjetur personin apo personat përgjegjës, që me neglizhencë apo paaftësi, nuk kanë marrë informacionin e duhur dhe kanë lejuar punësimin e tij. Për ta do të merret menjëherë masë ndëshkuese.

Për ne mbrojtja e nxënësve është e shenjtë dhe nuk tolerojmë askënd që cënon mirëqenien e tyre. Ndërkohë, ne në MAS do të rishikojmë menjëherë bazën ligjore dhe nënligjore, për të forcuar rregullat dhe procedurat e punësimit apo shkarkimit të mësuesve, për të mos lejuar që të ndodhin më raste që mund të përbëjnë rrezik për fëmijët tanë.

Ju lutem të gjithëve, prindër, nxënës, mësues, apo përfaqësues të komuniteteve, denonconi cdo rast që cënon, apo dyshoni se rrezikon, të drejtat dhe sigurinë e fëmijëve në shkollë apo jashtë saj”, shkruan Kushi.

Në vitin 2003, kanë qenë disa nxënëse të shkollës 9-vjeçare “Uznovë” në Berat, që e kanë denoncuar mësuesin e tyre kujdestar Ëngjëll Bregu se gjatë një ekskursioni në Bogovë ai i kishte prekur në pjesët intime të trupit.

Mësuesi u arrestua dhe u dënua për “pedofili” dhe “ngacmim seksual” nga Gjykata e Beratit me 7-muaj burg, por gjykata nuk ja hoqi asokohe të drejtën e rikthimit në detyrë edhe pse u kërkua nga prokuroria.

Top Channel