Rama zbulon bisedën me Papën: Ka një dashuri të posaçme për shqiptarët, përcjell bekimet e tij për të gjithë

27/11/2021 19:26

Kryeministri Edi Rama ka zbuluar bisedën me Papa Franceskun pas takimit në Vatikan. Rama thotë se Ati i Shenjtë flet me dashuri të posacme për shqiptarët dhe shpreh mirënjohje për rolin e Shqipërisë si faktor paqeje në rajon.

Ndër të tjera tregon se përcjell bekime për shqiptarët duke përshëndetur edhe bashkëpunimin e ri mes Selisë së Shenjtë dhe qeverisë shqiptare.

“Papa Françesku flet për Shqipërinë dhe shqiptarët me një dashuri të posaçme, ruan të freskët kujtimin e vizitës së tij të parë jashtë Vatikanit në Shqipëri, shpreh mirënjohje për rolin e Shqipërisë si faktor paqeje në rajon, po edhe si një vend e një popull model solidariteti njerëzor, qysh me shpëtimin e hebrenjve e deri në ditët tona me mikpritjen për refugjatët afganë dhe përcjell bekimet e tij për të gjithë shqiptarët, duke përshëndetur gjithashtu bashkëpunimin më të ri mes Selisë së Shenjtë dhe Qeverisë Shqiptare, për krijimin e destinacionit të pelegrinazhit me përmendoren e me tempullin kushtuar Shenjtores Shqiptare, Nënë Tereza, në Tiranë”, shkruan Rama në Facebook.

Kjo vizitë e kryeministrit përkoi me 30-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike të Shqipërisë me Selinë e Shenjtë.

Në shenje mirënjohje Kryeministri Shqiptar dekoroi sekretarin e shtetit tË Vatikanit, Kardinalit Pietro Parolin.

Gjatë qëndrimit  në Vatikan familja kryeministrore shqiptare vendosi lule ne varrin e  Papës shqiptar Klementi XI, i quajtur edhe Papa Albani si dhe në varrin e Gjon Palit  te II-te.

Top Channel