Një operacion që pritet të zgjasë dy ditë ka nisur të shtunën për transferimin e 325 të burgosurve në Zahari që vuajnë nga probleme të shëndetit mendor në drejtim të Shënkollit.

Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja ka inspektuar të shtunën në mëngjes ambientet ku do të shkojnë 325 të burgosurit. Ai tha se dy blloqe në burgun e Shënkollit janë rikonstruktuar dhe janë përshtatur për ta.

Falënderoj të gjitha stafet e angazhuara, sidomos ato të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, të IEVP Zahari dhe IEVP Shënkoll për angazhimin e tyre fizik e human edhe në ditët e pushimit, në trajtimin dhe sistemimin e këtyre personave në ambientet e rikonstruktuara të Lezhës”, deklaroi Manja.

Manja ka vlerësuar punën e bërë, duke theksuar se pas më shumë se 20 viteve rekomandimesh e vërejtjesh është realizuar mbyllja e një prej institucioneve më të kritikuara dhe të amortizuara.

Ai tha se qëndrimi i këtyre personave në këto ambiente do të jetë një fazë kalimtare, derisa ata të merren përfundimisht nën përkujdesje nga Ministria e Shëndetësisë, në një institucion totalisht të përshtatur për problematikat e këtyre personave.

Burgu i Zaharisë ndodhet 15 kilometra larg Tiranës dhe shpesh është kritikuar për gjendjen e tij të rrënuar.

Më herët të sëmurët mendorë që kryenin krime mbylleshin në Burgun e Zaharisë nga mungesa e një institucioni të përshtatshëm.

Ka qenë Gjykata e Lartë ajo që e ka konsideruar trajtim çnjerëzor atë që ka ndodhur aty.

Top Channel