Lëndë plasëse në derën e një apartamenti në Fier/ Banorët të tronditur: Kryefamiljari jeton prej vitesh në Itali, nuk ka pasur probleme me askënd

27/11/2021 12:05

Një shpërthim i fuqishëm tronditi të premten në darkë banorët e një pallati në lagjen “8 Shkurti” në qytetin e Fierit.

Ngjarja ka ndodhur në katin e 4 të një pallati, ku në derën e një apartamenti të pabanuar të shtetasit A.H., është vendosur lëndë plasëse C4. Për pasojë është dëmtuar dera e kësaj banese.

Banorët janë shprehur të tronditur për ngjarjen, ndërsa kanë treguar se familja jeton prej vitesh në Itali.

Një prej tyre, tregoi për Top Channel se kryefamiljari ka vetëm tre vajza të martuara dhe që prej vitesh jeton në Itali tek ato.

Asqeriu ka vetëm tre vajza. Ai është burrë i mirë dhe s’besoj të ketë pasur probleme me askënd”, tregon ajo.

Banorja e këtij pallati tha për mediat se fillimisht u dëgjua një zhurmë e fortë, e cila i frikësoi shumë.

Personalisht u tremba, thashë se çfarë plasi, pasi kisha vënë një dyshek korrenti në prizë për t’u ngrohur se isha e sëmurë. Mendova se mos plasi dysheku, pastaj ngrihem dhe shikoj, ndërkohë u ngrit edhe djali i cili më pyet se çfarë ndodhi? I thashë se nuk di asgjë”, tregon ajo.

Arsyet e shpërthimit në derën e apartamentit të shtetasit A.H., i cili prej vitesh jeton tek tre vajzat në Itali, nuk dihen, ndërsa 90-vjeçari njihet si njeri i rregullt dhe tepër i komunikueshëm në lagje.

Asqeriu është një njeri i mirë, 90 vjeç burrë. Nuk ka asnjë konflikt me askënd. Jetojnë në emigracion, por kthehen çdo vit në banesën e tyre dhe qëndrojnë një muaj gjatë pushimeve verore. Ai është alamet burri dhe as nuk bëhet fjalë të ketë pasur probleme me askënd, e aq më tepër borxhe apo ndonjë problem tjetër”, tregon ajo.

Po ashtu, grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë Fier po vijon punën për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Top Channel