Dy vjet nga tërmeti, Çuçi: U ringritëm si një familje e madhe, sot flasim me vepra dhe shembullin e fortë të triumfit përballë së keqes

26/11/2021 09:58

Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi, ka bërë një reagim në dy vjetorin e tërmetit të 26 nëntorit.

Ai kujton kohën kur u ngarkua si Ministër Fuqiplotë nga qeveria për menaxhimin e krizës. Çuçi thotë se sot ndihet i lehtësuar teksa shikon se si mijëra familje po rikthehen në banesat e tyre të reja.

Më poshtë mesazhi i plotë i Çuçit:

Sot dy vjet nga tërmeti i shkatërrues i 26 nëntorit kemi arsye të ndihemi të lehtësuar teksa shohim se si mijëra familje po rikthehen në banesat e tyre të reja që ne rindërtuam e që po vijojmë ende të rindërtojmë. E dinim se do të ringriheshim më të fortë nga kjo fatkeqësi edhe pse me 51 jetë të humbura e qindra të plagosur. Nuk u dorëzuam për asnjë çast përballë zemërimit të natyrës dhe mosbesimit të justifikueshëm të shumë e shumë njerëzve që ndeshëm përgjatë këtyre dy viteve.

Por sot flasim me vepra dhe me shembullin e fortë të triumfit. Për më shumë se dy muaj punova në Durrës si Ministër Fuqiplotë për Menaxhimin e Situatës pas Tërmetit. Me një skuadër fantastike, vendas e të huaj, ia dolëm të strehonim mijëra familje që u gjendën në qiell të hapur në mes të dimrit. Me shpejtësi të jashtëzakonshme bëmë evidentimin dhe vlerësimin e dëmeve të kësaj fatkeqësie, si dhe hartuam raportin me të cilin shkuam në Bruksel për të kërkuar ndihmë.

Kam veç mirënjohje për këdo që punoi pa pushim në këtë operacion të madh humanitar e solidariteti të pashoq për t’u ringritur nga rrënojat e asaj fatkeqësie që shenjoi jetën jo vetëm të atyre që u prekën direkt, por të mbarë shqiptarëve kudo që janë. Si një familje e madhe u ringritëm për të vazhduar jetën me besimin dhe shpresën se ditë më të mira kemi përpara.

Top Channel