Kryedemiokrati Lulzim Basha ka mohuar të ketë kryer transferta të paligjshme parash në SHBA, akuzë e ngritur nga Sali Berisha.
Berisha më parë tha se Basha është pjesë e “Dosjes Muzin” dhe se kjo i ka sjellë vështirësi në udhëtimin drejt SHBA-së.
“Pse qenkam unë peng i Edi Ramës. Nuk ka pasur asnjë transfertë të jashtëligjshme, janë trillime pas më shumë se një viti rrinte një shkresë e Departamentit të SHBA se nuk ka procedim të fshehur. Dosja Muzin, e dyta është Toyota Yaris. Kam marrë vendimin në të mirën e demokratëve. Të ishte për karrigen time, merrja vendim tjetër”, tha Basha.
“Po të mos ishte tragjike do të ishte shumë komike, nuk janë të vërteta, faktet janë publike, mjafton t’i referoheni arkivit tuaj, kam dhënë dëshminë e plotë për këtë çështje, edhe për çështje që nuk janë deklaruar në publik. Kjo është pjesë e fabulës të pas 9 shtatorit. Pyetja është me çfarë më mban peng mua Rama. Dosja Muzin nuk ekziston. Berisha më tha se jam peng”, tha Basha.
Kujtojmë se Lulzim Basha dhe Sali Berisha i kanë shpallur luftë njëri-tjetrit, pasi ky i fundit u përjashtua nga Grupi Parlamentar i PD-së, pasi ishte shpallur ‘non grata’ nga SHBA-ja.
Pas këtij vendimi, Berisha vijon luftën politike me anë të foltoreve të mbajtura me mbështetësit e tij në qytetet e vendit.
Berisha e akuzon Bashën se është marrë peng nga Rama dhe po bashkëpunojnë, gjë që është hedhur poshtë nga kryedemokrati.
Kujtojmë se me datë 10 nëntor, ish-kryeministri Sali Berisha dhe mbështetësit e tij dorëzuan firmat e mbledhura në selinë e PD-së, me qëllim mbledhjen e një Kuvendi Kombëtar më datë 11 dhjetor.
Ndërkohë ka pasur thirrje për dy Kuvende me data të ndryshme.
Më 15 nëntor, kryetari i PD-së në Shqipëri, Lulzim Basha në fjalën e tij gjatë takimit me anëtarët e Kryesisë së PD-së, ka theksuar se “11 dhjetorin nuk mund ta shndërrojë dot Sali Berisha, nga dita e lirisë, dita e demokratëve, dita e demokracisë, në ditën e bunkerizimit të PD-së, në ditën e izolimit të PD-së”.
Kreu i demokratëve ka zyrtarizuar datën 18 dhjetor për mbajtjen e Kuvendit Kombëtar, e cila është kundërshtuar me forcë nga ish-kryeministri Berisha dhe mbështetësit e tij.
Lulzim Basha nuk e njeh Kuvendin e shpallur nga paraardhësi i tij dhe ka kërcënuar me përjashtuam këdo që shkel interesat politike dhe elektorale te partisë, duke nisur me Sali Berishën.
Top Channel