Austria prej kohësh është shfaqur si mbështetëse e fortë e Kosovës, e sinjali më i fundit i këtij qëndrimi të saj erdhi nga eurodeputeti austriak, Lukas Mandl.
Përmes një postimi në Twitter, Mandl deklaroi prerazi se liberalizimi i vizave për Kosovën është urgjent dhe i një rëndësie kyçe.
“Në programin qeverisës të Gjermanisë në mënyrë eksplicite përmendet liberalizimi i vizave për Kosovën. Kjo është urgjente dhe e rëndësishme. Kriteret janë përmbushur për një kohë të gjatë. Parlamenti Evropian dhe Komisioni Europian kanë rënë dakord prej kohës dhe duhet mbështetje e plotë parlamentare”, ka shkruar Mandl.
Disa ditë më parë, ministri Federal i Austrisë për Çështjet Europiane dhe Ndërkombëtare, Michael Linhart në takimin që ka zhvilluar me ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovë, Donika Gërvalla u shpreh se Vjena do ta mbështesë Kosovën në të gjitha proceset, e sidomos në atë të liberalizimit të vizave.
Ndërkohë, edhe gjatë tensioneve të krijuara në veriun e Kosovës në shtator, ministri i brendshëm austriak Karl Nehammer mbajti qartazi krahun e Prishtinës, duke deklaruar se qeveria kosovare po ofronte siguri dhe qartësi për situatën e krijuar dhe se Kosova ka përkrahjen e shtetit austriak dhe të Bashkimit Europian.
Top Channel