11 të vdekur e 40 të bllokuar në minierën e qymyrit pas zjarrit nëntokësor (fotot)

25/11/2021 18:01

Një zjarr brenda një miniere në Rusi ka lënë të paktën 11 punonjës të vdekur dhe më shumë se 40 të bllokuar në rreth 200 metra nën tokë.

Katër njerëz janë në gjendje të rëndë në spital pasi pluhuri i qymyrit mori flakë në një tunel ventilimi, në minierën e Listvyazhnaya në lindje të Rusisë.

Galeritë ishin mbushur me tym duke lënë të helmuar punonjësit, raportonte agjencia vendase TASS për aksidentin e rëndë.

Më herët agjencia Interfax pretendonte se një shpërthim kishte ndodhur në galeri, duke cituar zyrtarë të mbikqyrjes teknike.

Shërbimete  emergjencës nisën sot operacionet e kërkim-shpëtimit në temperatura nën zero.

Rreth 285 njerëz besohet se ishin brenda galerive në kohën e katastrofës, ndërsa 239 prej tyre arritën të dilnin në sipërfaqe.

Komunikimet janë ndërprerë me njerëzit e bllokuar, tha guvernatori rajonal Sergei Tsivilev duke shtuar se nuk dihet se sa prej tyre mund të kenë mbijetuar.

Lajmi i mirë është se sipas Tsivilev në galeritë e bllokuara nuk ka tym helmues dhe funksionon rryma elektrike e venetilimi.

Tsivilev tha: “Për momentin aty nuk ka tym, kështu që shpresojmë të mos ketë as zjarr. Nuk kemi linja komunikime me njerëzit e bllokuar. Sistemi nëntokësor nuk funksionon”.

Listvyazhnaya është pjesë e grupit SDS-Ugol, një nga kompanitë më të mëdha të minierave në Rusi.

FOTO GALERI
1/5
Një zjarr brenda një miniere në Rusi ka lënë të paktën 11 punonjës të vdekur dhe më shumë se 40 të bllokuar

Top Channel