Të paktën dy persona kanë humbur jetën në një shpërthim të fuqishëm që ka ndodhur rreth orës 14:00 në fabrikën e armëve në Leshtane të Beogradit.

Si pasojë e shpërthimit janë lënduar edhe 15 tjerë, ndërkaq ekipet e kërkim-shpëtimit janë vënë në kërkim të disa personave që janë shpallur të zhdukur.

Një punonjës mbeti në mes të rrënojave, por ishin ekipet e zjarrfikësve që e nxorën.

Sipas dëshmitarëve në atë pjesë të Beogradit është ndjerë një shpërthim i fuqishëm.

Madje disa shtëpive u janë thyer xhamat nga forca e shpërthimit që tronditi banorët.

Deri më tani shkaqet janë të panjohura,  ndërsa mediat serbe raportojnë se rrjedhja e derivateve shkaktoi zjarrin.

Kujtojmë se vendi ynë u përball me gati të njëjtën ngjarje në mesditën e 18 marsit të vitit 2008, ku 26 persona mbetën të vdekur, mes tyre edhe fëmijë, ndërsa dhjetëra mbetën të plagosur nga shpërthimi i municioneve në një fabrikë demontimi armësh në Gërdec.

Edhe pse kanë kaluar 13 vite, familjarët enden në dyert e gjykatave që fajtori të marrë dënimin e merituar, ndërsa Prokuroria e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) ankimoi vendimin e GJKKO për pushimin e hetimeve për ish-ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediu në lidhje me shpërthimin e Gërdecit.

FOTO GALERI
2/9

Top Channel