Tirana doli pa pikë nga transferta shkodrane me Kukësin. Ekipi verilindor fitoi 2-1, duke i shkaktuar humbjen e parë bardhebluve të Shehit, që e kanë mbyllur fazën e parë në krye me 20 pikë. Trajneri i 25 herë kampionëve të Shqipërisë, Orges Shehi analizoi disfatën me Kukësin në emisionin duke treguar se çfarë çaloi tek ekipi i tij.
NDESHJA – “Ne ishim koshient që lodhja do të ndikonte. Në pjesën e parë ishim më në ekuilibër, por i humbëm shumë shpejt topat që rikuperuam, ama skuadra nuk rrezikoi. Ndryshuam pas dëmtimit të Behiratche. Në pjesën e dytë nuk zhvilluam ndeshje të keqe, por më vjen keq për mënyrën se si pësuam golat”.
NGOO – “Michael është lojtari ynë kryesor, ka ditë të mira dhe të këqija. Ai vuan akoma Kovidin dhe largimin që bëri për të kapur formën më të mirë”.
KRYESIMI – “Kemi bërë një fazë të parë shumë të mirë. Kemi qenë dominant, kemi qenë një skuadër në ekuilibër, kemi qenë superiorë me rivalët direktë. Jemi të kënaqur më atë që ka bërë skuadra dhe pikët që ka marrë. Do donim edhe sot të mos dilnim pa pikë, por u ndëshkuam në fund”.
TAKTIKA – “Pas pjesës së parë, unë mendoj se ishte një ndeshje e ekuilibruar, skuadrat ishin të vendosura mirë në fushë. Menduam të mos i shkonim lart Kukësit, pasi e dinim që lodhja do të ndikonte, por edhe prej faktit që Kukësi ka lojtarë të mirë.
Filluam të shkonim lart në pjesën e dytë, por e pësuam. Donim të rrinim në ekuilibër, Kukësi ishte më i freskët dhe nuk donim të binim në grackën e tyre, që qarkullojnë topin nga poshtë”.
TIRANA – “Te Tirana nuk është ambient që të vë në trysni, unë nuk vihem kollaj në trysni. Nga Kupa dolëm edhe për çështje fati. Mos të harrojmë që kemi 20 pikë, kemi bërë një fazë të parë shumë të mirë”.
Top Channel