Rrëfimi i të riut nga Kosova që do ta luajë rolin e Ibrahimovic në filmin “I Am Zlatan”

22/11/2021 20:43

Suksesi i shqiptarëve në botë është bërë i padiskutueshëm.

Art, politikë e sport, janë fushat me të cilat kanë korrë e kanë arritur të pushtojnë tregun ndërkombëtar.

I tillë është edhe i riu nga Mitrovica, Granit Rushiti, i përzgjedhur për të kryer një mision të veçantë, portretizimin e futbollistit Zlatan Ibrahimovic, në filmin autobiografik “I Am Zlatan” në nder të jetës dhe veprimtarisë së tij, premiera e të cilit do të jetë së shpejti.

Në një intervistë ekskluzive për Telegrafin, Rushiti tregon më shumë detaje se si erdhi deri tek bashkëpunimi i tyre, takimin me sulmuesin veteran e gjithashtu edhe për ndjesitë e të qenit Ibrahimovic.

Në fund të muajit qershor është publikuar ‘trailer’- i i filmit mbi jetën e Zlatan Ibrahimovic, “I am Zlatan”, dhe aty u kuptua se protagonistët kryesorë janë shqiptarë, si erdhi deri tek bashkëpunimi?

Unë kam qenë në Portugali kur më kanë telefonuar, kur më shënuan do të thotë. Kam qenë duke ushtruar futboll, më pas ia kam kthyer mesazhin duke i thënë do shohim, thash hajt të provoj të shohim se çfarë është. Kam shkuar për një provë, e bëra një herë. Në fillim nuk e kam marrë seriozisht fare, kam thënë se jam duke u marrë me futboll nuk mendoj të bëhem aktor. Më thirrën sërish, të tretën herë më thanë të takohem me regjisorin, një herë i thashë që nuk do vijë më pas pësova një lëndim në gju dhe atë momen thashë se nuk kam çfarë të bëj e më mirë të merrem, ndoshta mundem të bëj në aktrim.

Si iu është dukur ftesa për portretizimin e një futbollisti kaq të madh, e menduat se do të ishte vështirë për të bërë një gjë të tillë?

Ka qenë e vështirë pasi nuk kam menduar për aktrim asnjëherë, pas një muaji e kuptova se po bëj mirë, meqë mësova shumë gjëra. Kam mësuar edhe zërin e Zlatan se si flet ai. Pas gjithë kësaj, më është dukur më lehtë.
Ju me profesion jeni futbollist, e kishit të lehtë debutimin si aktor duke qenë se kjo ishte hera e parë që do merrje pjesë në një film?

Ka qenë e vështirë, por jo edhe sa e kam menduar. Ndoshta e kam pasur një talent që nuk e kam ditur, por është krejt tjetër jetë si punojnë ata dhe si janë futbollistët, por e kam mësuar shumë shpejt. Është më e lehtë tani.

Çfarë përmban në tërësi filmi, do të veçoje ndonjë pjesë në të cilën luani?

Tregon shumë për jetën e tij, jo vetëm për futboll, çfarë golash ka bërë në fushë, por edhe jashtë futbollit, çfarë ka bërë në shtëpi, jashtë kur ka qenë me shokë. Ka shumë pjesë që janë jashtë futbollit. Mua më kanë pëlqyer më shumë skenat që ishin jashtë futbollit. Në futboll e kam pasur gjurin e vrarë, madje gjatë xhirimeve në Amsterdam nuk e kam ditur se si kam përfunduar, shumë vështira e kisha. Në aktrim më dukej më interesant. Xhirimet u realizuan ne Amsterdam dhe Malmo.

Ibrahimovic është edhe lojtari juaj i preferuar, apo vetëm në rol?

Më pëlqen shumë. Kur kam qenë i vogël gjithmonë kam menduar t’i bëj gjërat, kam dashur t’i bëj si ai. Madje, më ka thënë babai edhe nganjëherë e mbyllja veten në dhomë vetëm ia shikoja videot si bënte ai, që t’i bëja edhe unë të njëjtat gjëra. E dua shumë Zlatanin. Edhe është i madh këtu në Malmo, se ai është i pari që ka ardhur nga një tjetër shtet dhe është bërë më i suksesshmi nga të gjithë dhe ua ka hap dyert të gjithëve.

Ju jeni takuar edhe personalisht me Zlatan, keni biseduar për filmin? Cilat ishin përshtypjet e tij?

Kemi folur për çdo gjë, por më tha shumë interesant se si po e bën zërin si unë; një herë i kishte thënë regjisorit se përse ia kanë fut zërin e tij në timin, nuk ka menduar se e kam bërë unë dhe filluam më pas me qesh. Ka thënë që është shumë i gëzueshëm me filmin.

Cilat janë pritshmëritë e juaja për filmin, meqenëse futbollisti suedez numëron tifozë të shumtë gjithandej botës?

Besoj që do të pritet shumë mirë. Kur ishim në festival në Romë janë zgjuar të gjithë dhe kanë duartrokitur. Këto gjëra nuk i kuptova në fillim, derisa pashë regjisorët e producentët duke u përqafuar me njëri-tjetrin. Kam pranuar edhe shumë mesazhe nga Italia, mendoj që do ketë një rezultat shumë të mirë.

Kush është në të vërtetë Granit Rushiti, jashtë filmit? Me çfarë merresh si është një ditë e juaja?

Momentalisht jam duke punuar në Call Center, jemi duke shkruar një film unë dhe disa shokë. Tani e kemi dërguar tek producentët, të shohim nëse do e pranojnë apo jo. Do të hapim edhe një institucion për rini, për ata që bëjnë probleme në mënyrë t’i mbledhim të gjithë të bëjmë aktivitete të ndryshme nëpër qytete.

Çfarë planesh keni për të ardhmen, e shihni veten në ndonjë film tjetër?

Besoj që me këtë që kam arritur, do kem edhe oferta të tjera në të ardhmen. Besoj që do të vazhdojë.

Mesazhi juaj për të gjithë lexuesit e portalit Telegrafit?

Duhet të mendojmë mirë për veten, të punojmë më shumë në atë që bëjmë dhe t’i besojmë vetes. Nuk i dihet asnjëherë jetës. Një ditë e ke keq, tjetrën mund ta kesh shumë mirë!

“I Am Zlatan” është realizuar nga Lucky Red, drejtuar nga Jens Sjogren dhe shkruar nga Jakob Beckman e David Lagercrantz.

Projekti, që flet për fillimet e tij e deri në një nga sulmuesit më të mirë të planetit, krahas Rushitit do ketë edhe një tjetër shqiptar të quajtur, Dominic Bajraktari./ Telegraf

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA