“S’kam kohë për të folur për vrasjen e 8-vjeçarit”, ministrja Bora Muzhaqi reagon pas kritikave: Jam thellësisht e prekur!

18/11/2021 17:14

Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët Bora Muzhaqi, ka refuzuar të flasë sot kur është pyetur nga gazetarët nëse ka një koment për ngjarjen tronditëse që ka tronditur mbarë opinionin publik, ku Matiasi 8-vjeçar u vra mizorisht nga fqinji i tij, Klodian Çalamani.

Pasi u pyet se çfarë masash konkrete janë marrë në lidhje me rastet e abuzuara, përgjigja e ministres ishte kjo: “Unë jam shumë vonë dhe më duhet të lëviz, ju kërkoj shumë ndjesë”.

Pas kritikave ka reaguar vetë ministrja Muzhaqi, e cila me një postim në ‘Facebook’ kërkoi ndjesë nëse ka lënë shteg për keqkuptime, duke shtuar se është thellësisht e prekur si të gjithë nga tragjedia e Fierit.

Muzhaqi tha se deklarata e saj është keqkuptuar dhe është përdorur me sarkazëm politike e mediatike, ndërsa shton më tej se funksioni i saj është të merret me programet jashtëshkollore dhe se për ngjarjen nuk iu duke e udhës të jepte një opinion personal.

Reagimi i plotë në ‘Facebook’:

Ndjesë nëse kam lënë shteg për keqkuptimin e kujtdoqoftë që ka pritur një përgjigje tjetër nga unë, përballë disa mediave të cilat m’u gjendën përballë duke shkuar për një tjetër takim pune.
Jam thellësisht e prekur si të gjithë nga tragjedia e Fierit dhe besoj se gjithçka mund të bëhet më tutje për adresimin e çështjeve të pyetjes, do të bëhet, ashtu si duhet, nga institucionet. Detyra ime funksionale është angazhimi me programet jashtëshkollore të nxënësve e studentëve, si dhe programet e aktiviteteve për fëmijët në komunitet. Prandaj dhe nuk m’u duk e udhës të jap një opinion personal mbi fusha të tjera specifike për të cilat m’u drejtua pyetja.
Ndërsa për sa i takon sarkazmës politike apo mediatike me tragjedinë, nuk kam asnjë koment. E kam neveritur gjithnjë lojën publike me dhimbjen e shkaktuar prej tragjedive. Por sot e provova shijen e saj drejtëpërdrejtë. Vdekja e dhunshme e një fëmije nuk mund të jetë kurrë arsye për të luajtur me njeri-tjetrin. Ndjesë edhe njëherë atyre që kanë keqkuptuar përgjigjen time.

Top Channel