Itali, prangoset kosovarja për terrorizëm: Është e afërme e Kujtim Fejzullahut!

17/11/2021 14:08

Një 19 vjeçare me origjinë nga Kosova u arrestua në Itali gjatë një operacioni blic të policisë në Milano.

Vajza, që është dërguar tashmë në burg, akuzohet për lidhje me terrorizmin. Hetuesit e përshkruajnë ate si një “mbështetëse të flaktë të Shtetit Islamik”.

Radikalizimi i saj ka nisur që në moshën 16 vjeçare, kur nuk kishte shumë që ishte transferuar në Milano nga Kosova së bashku me të vëllain. Por ndërkohë, ka vazhduar të ketë lidhje të ngushta me persona me background xhihadist, thonë mediat italiane.

Nga hetimi rezultoi se 19 vjecarja ishte e martuar me një të afërm të Kujtim Fejzullahut, autorit të sulmit terrorist në Vjenë vitin e kaluar, ku mbetën të vrarë katër persona e u plagosën 23 të tjerë. 20 vjeçari me origjinë nga Tetova, u qëllua për vdekje nga forcat e policisë 9 minuta pas të shtënave që traumatizuan kryeqytetin austriak.

Në celularin e vajzës së prangosur në Milano, ka pasur imazhe që tregonin skena sulmesh terroriste, zjarre e prerje kokash si dhe foto të masakrës në redaksinë e revistës satirike franceze, Charlie Hebdo.

Top Channel