
Komisioni për Çështjet e Sigurisë dhe të Mbrojtjes në Kosovë i dha dritën jeshile miratimit të projektligjit për dërgimin e FSK-së jashtë vendit. Për deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, ky projektligj me amendamentet plotësuese i përmbush të gjitha kriteret.
Pak kohë më parë, ministri i mbrojtjes Armend Mehaj ishte shprehur se rrugën e Kosovës dhe FSK-së për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare e lehtëson një kornizë ligjore e koordinuar me partnerët.
“Në këtë drejtim veçoj Projektligjin për dërgimin e FSK-së jashtë vendit”, thoshte ai.
Kosova, në bashkëpunim me forcat amerikane, ka dërguar në muajin mars një kontingjent të FSK-së në Kuvajt. Ka qenë ky misioni i parë i kësaj force jashtë vendit. Kosova, siç tha ai, ka nënshkruar dhjetëra memorandume bashkëpunimi dhe marrëveshje të ndryshme me shtetet anëtare të NATO-s, kurse “127 pjesëtarë të FSK-se po ndjekin studime dhe trajnime jashtë vendit”.
Kuvendi i Kosovës i miratoi dhjetorin e vitit 2018 ndryshimet ligjore, për të transformuar mandatin e FSK-së në ushtri, dhe tani që kapacitetet e saj janë rritur, mund të shkurtohet edhe periudha e tranzicionit, që është parashikuar të zgjasë 10 vjet.
Top Channel