48-vjetori i revoltës studentore në Greqi/ Paralajmërohen protesta gjatë gjithë ditës, qindra forca policie në gatishmëri

17/11/2021 09:20

Greqia përkujton sot 48 vjetorin e revoltës studentore që u shtyp me tanke prej juntës së kolonelëve.

Në politeknikumin e Athinës që prej mëngjesit të mërkurës mijëra qytetarë vendosin lule dhe kurora në kujtim të studentëve që humbën jetën në ato ditë të errëta të 17 nëntorit të 1973.

Edhe presidentja e vendit, Katerina Sakelaropoulou zgjodhi orët e mëngjesit për të vendosur kurorën e saj.

Mes të pranishmëve ndodheshin edhe disa anëtarë të grupimeve anarkiste, të cilët hodhën parrulla kundër qeverisë dhe presidentes,por situata nuk u përshkallëzua më tej.

Policia greke ka vënë në alarm më shumë se 6.000 forca policore, helikopterë  dhe dronë për ruajtjen e sigurisë, ndërsa shumë rrugë janë mbyllur në qendër të Athinës.

Autoritetet njoftuan mbylljen e disa stacioneve të metrove, ndërsa gjatë orëve të pasdites janë paralajmëruar protesta, të cilat kulmojnë me protestën e përvitshme jashtë ambasadës amerikane.

Ndërkohë autoritetet shëndetësore u kanë bërë apel pjesmarrësve në protesta, që të marrin masa mbrojtëse për të shmangur përhapjen e Covid, pasi shifrat e infektimeve janë tepër alarmante.

Një ditë më parë u diagnostikuan me Covid më shumë se 8.129 persona, ndërsa sistemi shëndetësor grek ndodhet një hap larg kolapsit.

Top Channel