Momentet shokuese kur 40 emigrantë e trafikantë zbresin gomonet në breg në veri të Francës, asnjë polic nuk i ndalon (fotot)

16/11/2021 15:45

Mediat britanike sillnin sot pamje shokuese nga brigjet veriore të Francës ku trafikantë të ndihmuar nga emigrantët që tentojnë të shkojnë drejt Anglisë mbanin në krahë gomonet masive 15 metra të gjata për të nisur lundrimin.

Policia franceze nuk dukej gjëkundi për të ndaluar aktivitetin e tyre, por grupi u pikasën vetëm nga gazetarët. Këta të fundit filmuan grupet që zbrisnin gomonet nga maja e kodrës në mes të ditës, në brigjet e dy plazheve të izoluara në zonën e Calais.

Sot Britania tha se rreth 100 emigrantë kanë arritur të kalojnë ngushticën për të mbërritur në Angli, në një ditë të suksesshme për trafikantët, të ndihmuar nga shikueshmëria e mirë në det.

Prej të enjtes në Angli kanë ardhur me barka 1,185 njerëz duke kaluar 20,000 vetë këtë vit, teksa Londra akuzon Parisin se nuk po tregon seriozitet për ndalimin e tyre.

Mëngjesin e sotëm disa banorë vendas u mahnitën nga skenat e dy grupeve të emigrantëve që zbrisnin gomonet e tyre gjigante në det.

Organizatorët më pas futeshin në det duke nxjerrë gomonen në pluskim dhe ndihmonin “pasagjerët” e tyre të ngjiteshin për lundrimin e rrezikshëm mes ngushticës.

Një emigrant i paidentifikuar tha për median britanike MailOnline se vetë trafikantët nuk lundronin me ta. Ata vetëm u jepnin jelekët e sigurisë dhe vinin në plazh për të gjetur momentin e përshtatshëm të nisjes.

Trafikantët futeshin në ujë deri në gju dhe u tregonin si të ndiznin motorin e gomones.

Zhvillimet vijnë disa ditë pasi policia franceze ka nisur spastrimin  e kampit të improvizuar të emigrantëve Grande-Synthe ku qëndronin rreth 1,500 emigrantë që kërkojnë kalimin drejt Britanisë.

FOTO GALERI
2/12
Grupi u pikasën vetëm nga gazetarët.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA