35.6 miliardë lekë apo më shumë se 290.9 milionë euro. Kjo është vlera totale e projektit të ndërtimit të Unazës së Madhe, shifër kjo e kontabilizuar nga vetë Ministria e Financave në tabelat e buxhetit 2022 të depozituara së bashku me draftin tashmë në Kuvend.

Sipas Financave deri në fund të vitit 2020 janë paguar 7.8 miliardë lekë për projektin, ndërsa planifikimi për vitin aktual është 5.8 miliardë lekë, rreth 47.3 milionë euro. Për vitin 2022 nga buxheti janë planifikuar të shkojnë për vazhdimin e punimeve të Unazës së re rreth 13 milionë euro, teksa projekti pritet të përfundojë plotësisht në vitin 2024.

Pagesat thuhet në tabelat e buxhetit do të vijojnë edhe pas përfundimit të këtij projekti ku janë përcaktuar paraprakisht 14.1 miliardë lekë, rreth 115 milionë euro. Punimet për ndërtimin e Unazës po avancojnë por kanë shkaktuar probleme të mëdha me trafikun, veçanërisht në segmentin Pallati me Shigjeta-Sheshi Shqiponja që përkon edhe me lotin e dytë të segmentit, ku vetëm pakë kohë më parë ARRSH i akordoi edhe një shtesë kontrate për vazhdimin e punimeve.

Ngërç në qarkullim kanë krijuar edhe punimet pranë rrethrrotullimit të Tegut, ku projekti parashikon ndërtimin e një nënkalimi për lehtësimin e qarkullimit pas përfundimit të tij, një kontratë me vlerë rreth 12 milionë euro. Ndërsa në pjesën verilindore që përkon me segmentin Materniteti i Ri-Shkozë-Uzina e Autotraktorëve qarkullimi kryhet me lehtësi pasi ka përfunduar asfaltimi i rrugës.

I hapur për qarkullimin e automjeteve që prej fundit të tetorit është edhe një tjetër segment, pjesa Lindore e Unazës së Madhe që nis nga mbikalimi i Farkës deri tek Materniteti i Ri.

Top Channel