Kuzhina daneze, papritur e gjeti veten në majat e kulinarisë botërore dhe këtu, meritë të padiskutueshme ka një shqiptar, Rene Rexhepi. Emri i restorantit të tij, Noma, tashmë njihet kudo.
“Ishin askushi 20 vjet më parë kur Rene nisi të rishpikte kuzhinën nordike, duke u fokusuar në ushqimet bazë vendase. Ishte diçka unike, dhe ja ku janë sot”, thotë Szilvia Gyimothy, profesoreshë marketingu në Shkollën e Biznesit në Kopenhagen.
Dashuria e shqiptarëve për ushqimin, cilësinë e tij por edhe estetikën nuk ka befasuar vetëm vendet nordike.
Në Zvicër, gjithashtu shtypi vendas i bën jehonë një restoranti mjaft të veçantë, Beaulieu, një vend me ushqim të mrekullueshëm por dhe një ambient të veçantë e mjaft të ngrohtë.
Gazetat shkruajnë se shqiptari Suad Elmazi, ka arritur ta bashkojë mjeshtërisht tradicionalen me modernen, duke ofruar mundësi nga më të ndryshmet që nga djathi i shkrirë e vera e ngrohtë e deri tek delikatesat gastronomike.
Produktet e përdorura, rrëfen Elmazi, vijnë vetëm nga prodhues lokalë. Ai po përgatitet tashmë për Krishtlindjet, e rezervimet kanë nisur, vetëm se dhe këtu, klientët nuk mund të hyjnë pa certifikatën e vaksinimit.
Top Channel