Atentati në Astir, dy të vdekur/ Dëshmitarët: Ja kështu vriten njerëzit. Mirë që s’na erdhi ndonjë plumb

13/11/2021 20:06

Dy persona, të identifikuar si Erigers Mihasi dhe Armando Dumani kanë mbetur të vrarë nga të shtënat me armë zjarri në zonën e Astirit në Tiranë.

Mësohet se është qëlluar me breshëri plumbash në drejtim të mjeti tip “Audi”. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 19:30 dhe dyshohet se atentati është kryer nga një tjetër mjet në lëvizje.

Në videon e siguruar nga Top Channel, një nga dëshmitarët nga vendi i ngjarjes dëgjohet duke thënë: “O sa gjynah. E dëgjova zhurmën që nga rrethi tjetër. Ja kështu vriten njerëzit sot.”. Ndërsa një tjetër u shpreh “Mirë që nuk na erdhi ndonjë plumb”.

Menjëherë shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje dhe po kontrollojnë  zonën me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.

Ndërkohë janë ngritur disa pika kontrolli në hyrje dhe dalje të qytetit të Tiranës.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë punon për sqarimin e plotë e rrethanave të ngjarjes dhe grumbullimin e çdo prove që do çojë në identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.

Top Channel