Një virus ka nisur të përhapet me shpejtësi të madhe mes fëmijëve në Kosovë, duke ngjallur shqetësim.

Mediat vendase thonë se virusi Coxsacki që i afrohet kështu dhe Shqipërisë, njihet ndryshe dhe si sëmundja e gojës, duarve dhe këmbëve. Në përgjithësi, infeksioni shkakton simptoma të lehta te fëmijët, të cilët mund të shërohen edhe pa trajtim mjekësor.

Por në raste të caktuara, ai mund të bëhet shkas për situata më serioze. Shenjat në fillim janë të ngjashme me ato të gripit sezonal, por sëmundja shkakton edhe flluksa të kuqe në duar, këmbë dhe zonën rreth gojës.

Coxsacki bën pjesë në familjen e të ashtëquajturve enterovirusë dhe zakonisht gjendet në gojë, stomak e zorrë. Gati gjysma e të miturve të prekur prej tij nuk kanë simptoma, ndërsa pjesë tjetër shfaqin dhimbje fyti, të përziera, temperaturë, dhimbje koke e flluska.

Ky lloj virusi përhapet kryesisht përmes ajrit, por fëmijët mund të infektohen edhe gjatë prekjes së lodrave, ndaj mjekët rekomandojnë larjen e shpeshtë të duarve dhe mosprekjen e syve, hundës dhe gojës.

Top Channel