Pesë të arrestuar në Korçë për trafik emigrantësh, mashtrim dhe ndërtim të paligjshëm

12/11/2021 13:43

Pesë persona janë arrestuar nga policia në Korçë për disa vepra penale.

Një 63 vjeçar u vu nën prangat e policisë për veprat penale “Punësimi i paligjshëm” dhe “Mashtrimi me produktet ushqimore”. Gjatë kontrollit që shërbimet e policisë në bashkëpunim me punonjësit e AKU-së dhe Drejtorisë së Tatimeve, ushtruan më datë 10.11.2021, në ambientet e firmës së shtetasit S. F., në lagjen nr. 1, Pogradec, kanë konstatuar tre punonjës të pa siguruar dhe një sasi etiketash produktesh ushqimore, të cilat i përkisnin dy subjekteve të tjera.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë, bënë ndalimin e shtetasit J. (A). H., 51 vjeç, banues në Korçë, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, e ka dënuar këtë shtetas me 6 muaj burg për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Policia arrestoi për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit, shtetasit R. F., 32 vjeç dhe shtetases V. D., 18 vjeçe, banues në Tiranë.

Këta shtetas janë konstatuar nga shërbimet e policisë, në aksin rrugor Korçë-Pogradec, në afërsi të fshatit Bulgarec, duke transportuar me mjetin tip “Volvo”, 3 emigrantë të paligjshëm të cilëve kundrejt shpërblimit iu kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.

Specialistët e Sektorit për Policinë Rrugore, bënë arrestimin në flagrancë për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt” të shtetasit A. K., 64 vjeç, banues në fshatin Biranj, Korçë, pasi ky shtetas u kap pranë kryqëzimit të fshatit Vashtmi, duke drejtuar mjetin tip “Benz”, në gjendje të dehur.

Ndërkaq, filloi procedimi penal në gjendje të lirë për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”, për shtetasin B. S., 65 vjeç, banues në fshatin Libonik, Maliq, pasi në oborrin e banesës së tij është konstatuar një godinë në ndërtim e sipër, pa lejen përkatëse.

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorive të Rretheve Gjyqësore Korçë e Pogradec për veprime të mëtejshme.

Top Channel