Policia e Kavajës ka sekuestruar 4 kilogramë e 403 gramë lëndë narkotike e dyshuar cannabis sativa, si dhe ka çuar në pranga 61 vjeçarin që i posedonte.

“Nga informacionet e marra në rrugë operative për një shtetas që posedonte lëndë narkotike në banesë, shërbimet e Policisë Kavajë kanë organizuar punën dhe kanë ushtruar kontroll në banesën e shtetasit N. Q., në fshatin Veliboshtovë.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e këtij shtetasi, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar 4 kg e 403 gramë lëndë narkotike të dyshuar cannabis sativa.   

Në vijim të veprimeve, specialistët e Komisariatit të Policisë Kavajë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit N. Q., 61 vjeç, banues në fshatin Veliboshtovë, në Kavajë”, njofton policia.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kavajë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Top Channel