Fermerët pastrojnë mbeturinat tek rrethrrotullimi i Plugut pas mbylljes së protestës

12/11/2021 12:36

Në mbyllje të protestës, fermerët e Lushnjës dhe Fierit, të cilët protestuan për heqjen e subvencionit 6% të TVSH mesditën e sotme tek rrethrrotullimi i Plugut, kanë demonstruar edhe një anë qytetarie. Teksa shpërndaheshin ata kanë pastruar vendin nga mbeturinat.

Nga pamjet e siguruara nga Top Channel, shihen fermerët teksa mbledhin mbeturinat, shishe, pankarta dhe kanaçe, të sjella aty nga vetë ata.

Kjo protestë e tyre vjen pas ndryshimeve fiskale nga qeveria, që parashikonin heqjen e subvencionit me 6% të TVSH-së.

Kujtojmë se pak ditë më parë ata nisën disa kërkesa në adresë të Ministrisë së Bujqësisë dhe kryeministrit Edi Rama, ku kërkonin subvencione direkte për prodhimet bujqësore.

Fermerët kërkojnë barazim të TVSH-së në shitje dhe në blerje si dhe rivendosjen e TVSH-së me 6%.

Sipas tyre kërkesat nuk janë plotësuar, çka ka çuar edhe në protestën e sotme.

Ata u përplasën edhe me forcat e policisë, duke bllokuar qarkullimin e mjeteve në autostradë.

Kërkesat e fermerëve

Subvencionim direkt i fermerit për njësi të prodhimit dhe 10 lekë për kg

Barazim i TVSH-së në shitje dhe blerje

Pezullim i TVSH-së për plehrat kimike

Laboratorë analizash

Garanci pagese të faturave të shitjes nga grumbulluesit

 

Top Channel