Në mjediset e Qendrës për Hapje dhe Dialog në Kryeministri, u çel sot ekspozita me veprat origjinale të ekspozuara për herë të parë në Tiranë, të 3200 artistëve nga e gjithë bota, pjesë e koleksionit “Imago Mundi”.
“Parallel 42 – A Circle of Humanity”, është një ekspozitë krejt origjinale në mënyrën se si është konceptuar dhe ka marrë formë në hapsirën e dedikuar për të.
Projekti “Imago Mundi”, i Fondacionit Benetton, është një projekt global që synon krijimin e një gjeografie artistike të veçantë në llojin e saj, duke sjellë koleksionin pranë sa më shumë njerëzve, përmes ekspozitave, katalogjeve dhe internetit e duke inkurajuar një dialog të sinqertë me artin dhe me botën.
Kryeministri Edi Rama, i cili ishte i pranishëm në çeljen e ekpozitës falenderoi ideatorët, organizatorët dhe të gjithë ata që mundësuan bashkimin e veprave artistike nga të katër anët e globit.
“Të gjitha këto vepra vijnë nga gjithë cepat e botës dhe është dashur një këmbëngulje e madhe për t’i sjellë të gjitha bashkë në këtë rreth, duke u kërkuar mijëra artistëve që të japin kontributin e tyre, në atë kuadratin e vogël e duke mundësuar pastaj që pikërisht në një moment të historisë së njerëzimit, kur njerëzimi u detyrua të izolohej nëpër shtëpi, nëpër qytete, nëpër shtete të ndryshme që ndërprenë plotësisht komunikimin, kjo ekspozitë të marrë jetë si një varg i pambarimtë pëshpërimash nga të gjitha anët e globit.
Është një ekspozitë shumë e posaçme, krejt origjinale në mënyrën se si është konceptuar dhe në mënyrën se si e ka marrë formën e saj në këtë hapësirë.
Uroj që ta shijoni dhe po e mbyll dhe me një falenderim shumë të veçantë për një mik të nderuar, ambasadorin e Japonisë i cili së bashku me bashkëshorten na janë bashkuar sonte në këtë moment që për COD-in është një moment i rëndësishëm pikërisht sepse ndodh në një periudhë që si për shumë hapësira të tjera, ka qenë një periudhë tejet sfiduese për shkak të fillimisht mbylljes së plotë e pastaj të kufizimeve të mëdha, e tani së fundi ka filluar të rimarrë frymë lirisht”, u shpreh Kryeministri Rama, në përshëndetjen drejtuar të pranishmëve me këtë rast.
Top Channel