Tetë të arrestuar në 24 orët e fundit në kryeqytet, ja për çfarë akuzohen

11/11/2021 13:56

Policia e Tiranës ka vënë nën pranga tetë persona gjatë 24 orëve të fundit, të cilët akuzohen për vepra të ndryshme penale.

Në pranga u vu një 28 vjeçar, me inicialet M.M., i shpallur në kërkim në kuadër të operacionit policor “Fati i lojërave”, për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara”, “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”, “Fshehja e të ardhurave”, “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”, “Punësimi i paligjshëm” dhe “Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale”.

Polocia arrestoi shtetasit B. B., 60 vjeç, F. R., 41 vjeç pasi gjatë kontrollit fizik iu gjetën dhe iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale një sasi lënde e dyshuar narkotike kokainë.

U arrestua edhe shtetasi D. M., 23 vjeç, pasi gjatë kontrollit në mjetin që ai drejtonte, iu gjet dhe iu sekuestrua një dorezë metalike. Gjithashtu u procedua në gjendje të lirë pasagjeri, shtetasi B. K., të cilit gjatë kontrollit iu gjet e iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi e vogël lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa.

Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2 arrestuan në flagrancë shtetasit:

E. K., 37 vjeç, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin që drejtonte, iu gjet një shufër metalike si ato që përdoren nga Policia, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin;

F. S., 20 vjeç, pasi në Rrugën e Kavajës, pasi ka vendosur në dispozicion ambientin e lokalit, për organizimin e lotarive të palejuara, duke fshehur të ardhurat.

A. D., 40 vjeç, pasi ka vendosur në dispozicion lokalin, për organizimin e lotarive të palejuara. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 1 njësi qendrore, dy tableta dhe një aparat celular, që dyshohet se shërbejnë për zhvillimin e aktivitetit të paligjshëm.

Gjithashtu është arrestuar në flagrancë shtetasi F. Zh., 26 vjeç, pasi është konstatuar duke drejtuar mjetin, pa leje drejtimi.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Top Channel