Përplaset furgoni me trenin/ Aksidenti në Durrës, lëndohet drejtuesi i automjetit

11/11/2021 12:07

Mungesa e sinjalistikës dhe postoblloqeve në kryqëzimet e shinave të trenit me akset rrugore vazhdon të shkaktojë të plagosur e viktima.

Mëngjesin e sotëm, një furgon u përplas me trenin e linjës dhe për pasojë mbeti i plagosur drejtuesi i furgonit, një 51-vjeçar u dërgua në spital, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Ngjarja ndodhi në Shkozet të Durrësit, në rrugën “Asti Gogoli”, ku mungon trau bllokues dhe elementë të tjerë të sigurisë teknike. Këtu, ashtu si dhe në kryqëzime të tjera, gjithccka i lihet rastësisë dhe vlerësimit subjektiv të drejtuesve të mjeteve dhe këmbësorëve për kalimin mbi shina.

Edhe në aksidentin e fundit, dyshohet se ka qenë vetëbesimi i tepruar i drejtuesit të furgonit se mund të kalonte në kohë mbi shina, duke rrezikuar jetën e tij pas përplasjes me trenin. Prej kohësh ky vendkalim, ashtu si dhe të tjerë, janë kthyer në burim aksidentesh, por megjithëse problematika është ngritur vazhdimisht gjendja në to mbetet e njëjtë.

Shpejtësia e ulët e lëvizjes së trenave për shkak të amortizimit të linjave dhe kalimeve të pakontrolluara mbi to, në të shumtën e rasteve, ka ndikuar në mospasjen e një bilanci tragjik viktimash.

Top Channel