Kryeministri Edi Rama në Vlorë u bë pjesë e nisjes së planit të veprimit me synim pastrimin rrënjësor nga mbetjet çdo cep të Shqipërisë me prioritet bregdetin. 

“Vlora, për fat të keq, në vend që të ishte model, është paralelisht modeli më i shëmtuar për abuzimin me mjedisin të njerëzve dhe për indiferencën lapidare të bashkisë, që është bashkë abuzuese me njerëzit.  Është e paimagjinueshme, sepse nuk është ky një pyll si Amazona në Brazil. Ky është një pyll, që kryetari i bashkisë, bashkë me ata që janë përgjegjës në bashki për këtë punë, mund ta bëjnë me makinë për 3 minuta nga hyrja në dalje”, tha Rama.

Kryebashkiakëve në të gjithë vendin kryeministri u tregoi ligjin.

“Asnjë bashki nuk do të lejohet që për arsyet e mosarsyet e për justifikime të pajustifikueshme, në vend që t’i çojë mbetjet e veta në pikën fundore të krijojë pika të tjera, të paligjshme grumbullimi. E për këtë ligji parashikon sanksione për kryetarët e bashkive, parashikon sanksione për vetë bashkitë”, u shpreh Kryeministri.

Po sot më herët në Vlorë është kryer edhe një aksion tjetër pastrimi nga punonjësit e  bashkisë së Vlorës që  janë parë të pastrojnë  te Pylli i Sodës.

 

Top Channel