Biznesi kundërshton taksën e qumështit/ Sipërmarrjes private i rriten kostot me të paktën 20%

04/11/2021 19:46

Ndryshimet e paketës fiskale nuk lehtësojnë biznesin, por rrisin më tej barrën fiskale për sipërmarrjen.

Kështu shprehen përfaqësuesit e sektorit prodhues në vend, sipas të cilëve masa të tilla si taksa për qumështin pluhur jo vetëm nuk ndihmon fermerët, por krijon më tej skema abuzive.

“Taksa e qumështit për hir të së vërtetës edhe ne e duam, jo vetëm për atë por për të gjitha produktet që futen nga jashtë dhe mund të jenë rrezik për produktet e fermerit. Nëse vihet kjo taksë për qumështin pluhur normalisht duhet të përjashtohet sektori i prodhimit i cili e ka të lejuar prodhimin e produkteve me bazë qumështin pluhur të miratuar nga AKU me etiketë ligjore”, tha Nikolin Jaka.

“Ministria e Financave nuk e ka mirë menduar pasi ne mund ti vendosim barrierë qumështit pluhur, por ndërkohë lejojmë produkte me përmbajtje të qumështit pluhur nga importi që hyjnë dhe konkurrojnë me çmimin më të lirë prodhimet vendase”, tha Ervin Resuli.

Skeptikë ata janë edhe për ndryshimet e tjera të taksave në bujqësi si ajo për zerimin e rimbursimit të TVSH-së nga 6% dhe rikthimin e asaj 10% për inputet bujqësore.

“Sot me zero sa herë që importi të ketë ulje çmimesh nuk do jetë interesant për pikat e grumbullimit që çojnë perimet tona jashtë kufirit, kjo sjell që serat të përballen me një gjendje stoku sepse pikat e grumbullimit do humbasin interesin. Fermeri shqiptar duke shitur me zero e duke blerë më 10 ngarkohet nga një barrë taksash.”

“Kjo paketë fiskale është kirurgjia më e rrezikshme që i bëhet sipërmarrjes private sepse ndërhyn në sektorin e prodhimit, duke filluar nga heqja e 6% të tvsh-së për fermerët, nga akciza e gazit ku ne aktualisht përballemi me një rritje të çmimit të tij, i bie që sipërmarrja private të rrisë kostot me minimalisht 20%.”

Teksa deklarojnë se qeveria nuk është konsultuar paraprakisht me grupet e interesit për këto ndryshime, ata kërkojnë një rishikim të saj me masa që mbështesin sipërmarrjen dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

Top Channel