Numri i të papunëve do të vij gjithnjë në rritje, pasi në vendin tonë të rinjtë kërkojnë të bëhen juristë, ndërkohë që tregu i punës kërkon profesionistë në ndërtim, kuzhinë, elektricistë dhe hidraulik.
“Në të gjithë këto vite ne kemi shumë të diplomuar në drejtësi dhe shkenca politike apo në formim universitar të cilët gjendet të papunë. Sepse tregu i punës kërkon specialist të mesëm dhe teknikë të formimit profesional”, thotë eksperti i ekonomisë, Erion Muça.
Enri Jahaj, ka një lokal në Tiranë, ai thotë se është gjithnjë në kërkim të stafit:
“Shumë shpesh kemi vajtur tek Zyrat e Punës gjejmë njerëz që duan punë vijnë dy ditë dhe më pas ikin duan të qëndrojnë në shtëpi”.
Sipas ekspertit të ekonomisë të rinjtë pranojnë të qëndrojnë të papunë, por jo të keqpaguar.
“Arsyeja se përse të papunët preferojnë të mbeten të papunë është se kanë një pretendim të lartë ndaj llojit të punës që duan të realizojnë apo vlerësimit dhe motivimit financiar”, shpjegon Muça.
Sapo kamarierët aftësohen në profesionin e tyre, ata kërkojnë të largohen nga Shqipëria, për pasojë lokalet mbesin me klientë, por jo kamarierë.
“Momentalisht mua më mungon kamarier. Do më thënë nuk ka, dhe ata që janë ose janë shumë profesionist dhe kërkojnë pagë shumë të lartë që nuk e përballojmë dot, ose nuk kanë njohuri dhe duhet të investohesh tek ata. Dhe sapo i trajnon ta ikin. Disa ikin punojnë në kroçera dhe disa të tjera jashtë shtetit”, thotë Jahaj.
Top Channel