Skandal/ 13 vjeçarja viktimë e shfrytëzimit dhe trafikimit jeton vetëm me qira, institucionet nuk gjejnë zgjidhje

01/11/2021 20:40

Në emisionin Fiks Fare vjen një denoncim sa i çuditshëm aq edhe i dhimbshëm mbi shfrytëzimin e një 13 vjeçareje. Por këtë denoncim nuk e bëjnë prindërit, por vetë drejtori i shkollës ku ajo studion.

Ai tregon se një nxënëse vetëm 13 vjeç është larguar nga shtëpia e saj dhe jeton me qira në Sarandë. Vajza është bërë problem pasi vjen gjithmonë me vonesë në shkollë dhe aspak e veshur si moshataret e tjera, apo e veshur për moshën që ka. Drejtori thotë gjithashtu se ka denoncuar në komisiariat bashkë dhe me familjarët e vajzës. Për vajzën e mitur është marrë dy herë vendim që të shkojë në qendër rehabilitimi, por drejtori rrëfen se nuk di çfarë ka ndodhur, pasi vajza jo vetëm nuk është në qendër rehabilitimi, por vjen sërish në shkollë dhe me vonesë. Drejtori kërkoi ndihmën e Fiksit që të shpëtojë të miturën, pasi siç ai vetë pohon shkolla nuk ka as psikolog që nga muaji shkurt i vitit të shkuar akademik. Dhe i duket e palogjikshme që një 13 vjeçare të jetojë e vetme në shtëpi me qira, duke e ditur edhe kushtet sociale të familjes së saj.

Gazetarët e Fiksit shkojnë në shtëpinë e vajzës në fshat. Prindërit invalid të 13 vjeçares treguan se vajza nuk i dëgjon më. Ata jetojnë në kushte të vështira ekonomike pasi kanë vetëm invaliditetin e tyre si burim të ardhurash. Nëna tregon se vajza punoi dy muaj në verë në një market në Ksamil dhe më vonë nuk donte të jetonte më me ta e si rrjedhojë ka dalë vetëm në shtëpi me qira.

“Vajza ka tentuar të vetvritet” rrëfen nëna e përlotur,duke ju thënë se “nuk ju kam prindër” për shkak të kushteve të vështira ekonomike.

Gjithashtu thotë se djali i familjes është zënë me të motrën, pasi e ka kuptuar se shoqërohej me djem. Edhe pse me miratimin e prindërve e mitura nuk pranoi të shkonte në qendër rehabilitimi. “Si ka mundësi që shteti nuk bën asgjë ?” thotë nëna e vajzës.

Fiksi telefonon ish psikologen e shkollës, Ornela Zhui, e cila ka qenë në grupin e vlerësimit që vendosën për 13 vjeçaren të shkonte në qendër rehabilitimi. Psikologia thotë se përveçse nuk bën më pjesë në atë shkollë nuk ka qenë as në grupin e vlerësimit. Specialisti i policisë së zonës, Alfred Shumbuli,në telefonatën e parë u zotohet gazetarëve se do i telefonojë sapo të mbarojë një operacion në terren, kjo gjë jo vetëm që nuk ndodhi, por kur gazetarët e ritelefonuan tha se s’mund të flasë për rastin. Gazetarët telefonojnë edhe Oficerin e Policisë Gjyqësore, Jetnor Pulajn i cili thotë se vajzën e çuan në qendër rehabilitimi, por nuk e mbajtën pasi vajza nuk donte.Gazetarët iu drejtuan edhe Bashkisë Sarandë ku takojnë përgjegjësen e shërbimit social.Ajo tregon se janë bërë dy herë mbledhje për rastin në fjalë ku u vendos që vajza të shkonte në qendër rehabilitimi, por zbatimi i vendimeve nuk është më përgjegjësi e tyrja. Në këtë mënyrë edhe ata e delegojnë përgjegjësinë.

Gazetarët e Fiksit në bashki marrin procesverbalet e vlerësimit. Në këto dokumenta grupet të cilët kanë marrë vendimet në përbërje janë SPZ,OPGJ ,psikologia,drejtori i shkollës,mësuesja kujdestare,punonjësja e mbrojtjes së të drejtave të fëmijve . Në vendimin e marrë thuhet se vajzën e mitur në orën 20:00 ta nisin në Tiranë në një qendër rehabilitimi shtetëror.Vajza ne qendrën e rehabilitimit në Tiranë nuk është mbajtur me arsyetimin se nuk ka dëshirë të qëndrojë në këtë qendër. Po sa merret për bazë dëshira e një të miture kur kujdestarët e saj, përkatësisht prindërit kanë firmosur që ajo të rehabilitohet aty?!

Në procesverbalin e marrë nga bashkia Fiksi sheh që kishte firmosur edhe psikologia e cila më herët tha se nuk ka qenë pjesë e grupit të vlerësimit.Gazetarët e Fiksit telefonojnë vetë psikologen duke i treguar këto fakte dhe e pyesin se përse i gënjeu më herët. Psikologia thotë se ka qenë në atë shkollë deri në shkurtin e shkuar akademik. Rastin e vajzës e njeh dhe sa ishte ajo psikologe e mbante nën kontroll vajzën, por pas largimit të saj në një tjetër shkollë ajo justifikohet duke thënë se nuk dinte asgjë më për rastin.Gazetarët e Fiksit shkojnë në ZVA Sarandë për të pyetur a ka një psikolog shkolla dhe çfarë është bërë për rastin e vajzës. Drejtoresha u thotë gazetarëve se duhet të marrë konfirmim për të folur duke i lënë në pritje për 1 orë. Më pas u pohon se duhet të bëjnë kërkesë me shkri edhe pse është në zyrën e saj ajo nuk do t’u përgjigjet gazetarëve. Ndërkohë drejtori i shkollës u ankua në emisionin Fiks Fare si për rastin e vajzës ashtu dhe për mungesën e psikologes, për të shmangur raste të tjera në shkollën e tij. Vetë psikologia e konfirmoi mungesën që nga shkurti i vitit të shkuar akademik, dhe Drejtoria Rajonale Fier ka vetëm një punonjëse sociale. Vajza e mitur e cila ka patur probleme mesa duket nuk ka gjetur mbështetjen e askujt.
Gjithashtu Fiks Fare i bën kërkesë me shkrim shërbimit social për rastin e 13 vjeçares.Ky institucion thotë se njeh rastin, por nuk mund të na japë informacion se çfarë ka bërë për të. Gjithashtu thotë se qëndra së cilës i është drejtuar vajza as nuk përzgjedh dhe as nuk refuzon askënd!

Gazetarët e Fiksit i drejtohen Agjencisë së Mbrojtjes së Fëmijëve.Drejtoresha, Alma Tandili në intervistë thotë se e njeh rastin në fjalë.”Një grup është nisur për në Sarandë për të kërkuar nga gjykata masën e mbrojtjes për vajzën e mitur, dhe ndërkohë do përpiqemi të bindim vajzën se po shfrytëzohet ” thotë drejtoresha. Gjithashtu ajo thotë se nuk mund të flasë se çfarë ka ndodhur atë natë në qendrën e rehabilitimit dhe pse vajza nuk është mbajtur.

FOTO GALERI
5/8

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA