Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken e la mënjanë diplomacinë në takimin me homologun kinez Wang Yi në Romë të Italisë, ku u zhvillua samiti i 20 vendeve më të industrializuara të botës, të njohura ndryshe si grupi i G20-tës.
Përmes Blinken, SHBA i tha Kinës të mos ndërmarrë asnjë veprim të njëanshëm që do të ndryshonte statusin e Tajvanit. Kryediplomati amerikane e bëri të qartë se Washingtoni i kundërshton me forcë veprimet e Pekinit, të cilat i kanë shtuar ndjeshëm tensionet në ngushticën e Tajvanit këto muajt e fundit, me disa inkursione avionësh luftarakë në zonën e mbrojtjes ajrore të ishullit.
Në fillim të muajit tetor, gjatë festimeve të Ditës Kombëtare të Kinës, Pekini dërgoi 149 avionë ushtarakë në zonën rreth Tajvanit, duke bërë që Taipei të vinte njësitë ushtarake në gatishmëri. Ishulli i qeverisur në mënyrë demokratike e konsideron veten të pavarur, por Kina e sheh atë si provincën e saj të shkëputur.
Edhe pse Shtetet e Bashkuara i ndërprenë lidhjet zyrtare diplomatike me Tajvanin në 1979 dhe njohën sovranitetin e Pekinit, Washingtoni mbetet i përkushtuar për të siguruar aftësitë mbrojtëse të Tajvanit, i cili thotë se nuk dëshiron të fillojë luftë me Kinën, por në rast agresioni, do ta mbrojë veten plotësisht.
Top Channel