Sëmundja e Alzheimerit avancon në tru shumë më ndryshe nga sa ishte menduar deri tani.
Një studim i ri i shkencëtarëve nga Universiteti i Kembrixhit dhe Shkolla Mjekësore e Universitetit të Harvardit del në përfundimin se sëmundja Alzheimer nuk fillon në një zonë të vetme të trurit, duke u përhapur më pas në zona të tjera, siç është bindja e deritanishme.
Kërkimet e tyre treguan se grupe proteinash toksike që mendohet se janë përgjegjëse për këtë sëmundje të rëndë, prekin pjesë të ndryshme të trurit dhe më pas grumbullohen aty gjatë dekadave.
Pra zhvillimi i saj, ndodh paralelisht. Hulumtimi, i publikuar në revistën Science Advances, është i pari që përdor të dhënat njerëzore për të përcaktuar shpejtësinë e proceseve molekulare që çojnë në sëmundjen e Alzheimer.
Studiuesi Georg Meisl shpjegoi se më parë është menduar që Alzheimer zhvillohet në mënyrë të ngjashme me kancerin, pra formohet në një rajon dhe më pas përhapet në pjesë të tjera të trurit.
“Por në vend të kësaj, ne zbuluam se kur fillon Alzheimer, tashmë është prezent në rajone të shumta të trurit dhe përpjekja për të ndaluar përhapjen midis rajoneve do rezultojë me pak sukses“, u shpreh ai.
Top Channel