Përgatiten taksat e reja/ Lehtësohen pagat. Rikthehet TVSH e gazit dhe e naftës për jahtet

29/10/2021 19:31

Qeveria është duke përgatitur disa vendime që ndryshojnë taksat duke nisur nga një janari i vitit që vjen.

Ndryshimi i parë është lehtësimi i taksës mbi të ardhurat. Pagat deri në 40 mijë lekë nuk taksohen. Për pagat deri në 50 mije leke paguhet një taksë 6.5 përqind e cila nis nga kufiri 30 mijë lekë ose 1300 leke tatim mbi te ardhurat.

Pagat e larta, që paguanin 23 përqind taksë, tani do paguajnë më pak sepse kufiri nga nis taksa do jetë 200 mijë lekë në muaj dhe jo më 150 mijë lekë në muaj.

Ndryshimi i taksave prek edhe bujqësinë. Pak vute më parë u ul tatimi mbi vlerën e shtuar por që solli efektin e kundërt. Çmimet nuk u rritën dhe u favorizuan importet duke dëmtuar rëndë veçanërisht blegtorinë. Kjo lehtësi në taksa dha efektin e kundërt duke pakësuar numrin e lopëve për qumësht.

Për të mbrojtur prodhimin vendas është menduar të vendoset një taksë importi për qumështin pluhur. Rifutet në skemën e akcizës nafta që përdoret për jahtet. Kjo taksë ishte hequr për të shtuar turizmin, por në fakt jahtet e milionerëve në Shqipëri vinin vetëm për të blerë naftë me 65 lekë litrin. Qeveria kërkon të rrisë akcizën për duhanin.

Unifikohet akciza e gazit te karburanteve dhe atij për ngrohje ne 6 leke për litër. Gazi qe blihej për makina deklarohej si gaz ngrohje. Gjithashtu hiqet përjashtimi i tvsh për makineritë pajisjet e investimeve deri në 500 milionë lekë. Ishte fondi monetar ndërkombëtar që kishte kërkuar heqjen e përjashtimeve tatimore sepse krijonin gropa të mëdha në buxhetin e shtetit. Ndërkohë qeveria është angazhuar për të thjeshtuar edhe më shumë sistemin e taksave

Top Channel