Vuçiç sfidon SHBA, në krah të Pekinit për Tajvanin: Ka vetëm një Kinë!

28/10/2021 17:14

Presidenti serb Aleksandar Vuçic doli hapur në mbështetje të politikës “Një Kinë”, sipas të cilës Kina kontinentale dhe Tajvani janë pjesë të patjetërsueshme të Kinës së bashkuar.

“Faleminderit për mbështetjen e integritetit territorial të Serbisë. Ju po e bëni këtë në të njëjtën mënyrë si Serbia, që përkrah plotësisht politikën e një Kine”, i tha Vucic ministrit të jashtëm kinez  Wang Jiem, i cili ndodhet për një vizitë dyditore në Beograd.

Në kohën kur tensionet mbi Tajvanin janë shtuar, dhe SHBA-ja e ka pohuar hapur se do ta mbrojë ishullin në rastin e një sulmi, Serbia rreshtohet në krahun e Pekinit, me të cilin siç tha Vucic, nuk ka çështje të hapura me në sferën politike, ndërsa bashkëpunojnë shkëlqyeshëm në të gjitha institucionet dhe organizatat ndërkombëtare.

“Miqësia jonë është e sinqertë, e madhe dhe nuk është çudi që shpesh e cilësojmë edhe si të çeliktë”, ishte komenti i tij. Serbia, ashtu si dhe disa vende të Europës Qendrore e Lindore është pjesë e nismës shtetërore kineze “Një brez, një rrugë”.

Shkëmbimi tregtar mes saj dhe Kinës është trefishuar në pesë vitet e fundit, e kjo për Vucicin flet qartë për nivelin që kanë sot marrëdhëniet e ndërsjella mes dy vendeve.

Top Channel