Kishinjev, Moldavi. Lastoçika e vogël birësohet nga mbledhësja e shisheve Tamara Pavlovna. Lastoçika shkon në shkollë, mëson rusisht, edhe pse parapëlqen gjuhën e saj, dhe ndëshkohet nga e ëma kur nuk e flet siç duhet rusishten.
Ajo mëson të lajë shishe, por edhe të vjedhë apo të refuzojë kërkesat e burrave tepër këmbëngulës… Fqinjët e saj bëhen familja e saj e re dhe i japin pak nga mirësia e tyre. Por plagët nuk zhduken dhe pyetjet e mundojnë.
“Kopshti prej qelqi” është një roman intim për traumat e fëmijërisë, kërkimin e vetvetes dhe identitetit në një mjedis shumëkulturor dhe dygjuhësh.
E parë përmes syve të një fëmije, historia tregohet me ndjeshmërinë, brishtësinë, ashpërsinë dhe empatinë e moshës. Fëmijëria e saj i ngjason shumë lodrës aq të dëshiruar nga Lastoçika – kaleidoskopit – të cilin e gjeti në rrotat e një makine dhe që dukej i plotë, megjithëse ishte i thyer brenda.Por “Kopshti prej qelqi” është edhe një letër imagjinare nga Lastoçika, e rritur tashmë, për prindërit e saj. Dhimbja prej braktisjes, mungesa e dashurisë dhe butësia amësore janë plagë që nuk shërohen.
Dy fjalë për autoren
Tatiana Țîbuleac lindi më 1978 në Kishinjev, në Republikën e Moldavisë. Studioi në Fakultetin e Gazetarisë dhe Komunikimit në Universitetin Shtetëror të Moldavisë. Fillimisht u bë e njohur më 1995, si autore e rubrikës “Histori të vërteta” në gazetën e përditshme ‘Flux’. Më 1999, filloi punën si reportere, redaktore dhe prezantuese lajmesh në PRO TV Kishinjev dhe gjithashtu punoi për UNICEF-in në Moldavi. Prej vitit 2008 jeton në Paris.
Tatiana Țîbuleac debutoi më 2014, me një përmbledhje tregimesh “Fabula moderne”. Më 2017 iu botua romani “Vera kur ime më kishte sy të gjelbër”. Romani u vlerësua me Çmimin e Lidhjes së Shkrimtarëve të Moldavisë, çmimin e revistës letrare Observator Cultural në Bukuresht dhe atë të Observator Lyceum në festivalin FILIT në qytetin e Jashit. Romani i saj i dytë “Kopshti prej qelqi”, fitoi Çmimin Europian të Letërsisë më 2019.Romanet e Tatiana Țîbuleacut janë best-seller në vendlindjen e saj dhe janë të përkthyera në rreth 20 gjuhë.
Të dhëna për librin
Titulli i librit: Kopshti prej qelqi
Autor: Tatiana Țîbuleac
Përktheu: Maniela Sota
Shtëpia Botuese: Dituria
Nr. i faqeve: 200
Cmimi: 800 lekë
Top Channel