Qeveria do të japë 26.7 miliardë lekë për pushtetin vendor për vitin e ardhshëm, para që do të shkojnë për funksionet e bashkive dhe për shërbime ndaj qytetarëve. Në raport me vitin aktual, rritja e fondeve është modeste me vetëm 390 milionë lekë më shumë.

Nga kjo shumë, 16.5 miliardë lekë i takon transfertës së pakushtëzuar për bashkitë, ndërsa pjesa tjetër e për transfertën sektoriale e ndarë sipas zërave si për mbrojtjen nga zjarri, administrimin e pyjeve, ujitjen dhe kullimin, rrugët rurale si dhe funksione të tjera.

Por, si ndahen fondet sipas bashkive?

Bashkia Tiranës ka edhe pjesën më të madhe “të luanit” me 3.7 miliardë lekë edhe për shkak të numrit të lartë të popullsisë së vendosur në kryeqytet, ndjekur nga bashkia Durrës me 1.2 miliardë lekë.

Pas saj renditen bashkia Elbasan me 1.1 miliardë lekë mbështetje nga buxheti 2022, teksa Fieri dhe Shkodra do të marrin përkatësisht 1 miliardë lekë, bashkia Vlorë 994.5 milionë lekë ndërsa pjesa e mbetur ndahet midis 55 bashkive të tjera.

Ekspertët për çështjet e pushtetit vendor thonë se fondet janë të pamjaftueshme dhe nevojitet më shumë mbështetje nga qeveria.

Transferta sektoriale mbetet e pamjaftueshme për bashkitë, janë funksione që kërkojnë investime shumë të mëdha. Bëhet fjalë për shërbime që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve dhe këtu do të kishte nevojë për më shumë fonde.

Vjen vera kemi zjarre, vjen dimri kemi përmbytje. Është e pamundur ta plotësojnë vetë këtë lloj nevoje, ashtu siç ndodh edhe për infrastruktura të tjera të mëdha siç janë ujësjellësit apo menaxhimin e mbetjeve që duan patjetër mbështetje nga qeveria qëndrore. Ose t’u lejohet bashkive të marrin hua për këto investime.” Merita Toska, eksperte për çështjet e pushtetit vendor

Në projektbuxhetin 2022 qeveria ka hequr nga bashkitë transfertën për emergjencat civile duek e kanalizuar në buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes, ku fondet për këtë zë llogariten në 600 mln lekë, vetëm 36 milionë lekë më shumë se buxheti 2021.

Top Channel